STOP – EMISIONI 46 (SEZONI 3)

Emision: 07.11.2017


Formalizimi i puseve dhe shprehjet shqiptaro-amerikane.
Kryeministri Rama shpalli një nga sfidat e këtij mandati qeverisës: disiplinimin e harxhimit të ujit të pijshëm, ku bën pjesë edhe formalizimi i 25 mijë puseve te ujit.Më pas transmetohen intervista të qytetarëve me humor, lidhur me përfundimin e aplikimit të lotarisë amerikane. Ambasadori amerikan në një aktivitet paraditen e sotme, dedikuar luftës kundër krimit e trafikut, përmendi një sërë shprehjesh shqiptare e amerikane, që konkludojnë me kapjen sa më parë të “peshqve të mëdhenj”.

Gjoba absurde ndaj biznesit të skrapit dhe ping-pongu i zyrave të shtetit.

Pak ditë më parë Ministria e Mjedisit dhe Bashkia e Tiranës nisën aksionin në terren për dokumentacionin e bizneseve, që nuk zbatojnë ligjin. Por Jani Lena, një biznesmen i skrapit në Vaqarr, tregon rastin e tij me gjobën absurde dhe ping-pongun në zyrat e shtetit shqiptar. Në të njejtën ditë të nismës qeveritare, gjobitet nga inspektorët e mjedisit me 5 mijë lekë të reja gjobë, me justifikimin se nuk kishte leje mjedisore. Por Lena tregon lejen mjedisore që e ka ende aktive.

Në një video-regjistrim me specialisten dhe juristen e Agjensisë Kombëtare të Mjedisit, këto të fundit i thonë se drejtori ka dhënë dorëheqjen për këtë shkak, sepse i bënë presion të mbyllte bizneset. Zonjat e AKM-së i thonë se masat janë revokuar dhe e këshillojnë ta zgjidhë çështjen me gjyq, pasi e ka të fituar. Në shkresat që merr më vonë, Jani Lena kupton se ka një shkresë që i është revokuar leja mjedisore dhe dy ditë më pas një tjetër që anullohet revokimi i lejes…

Si të mos mjaftonte kjo, bashkia i çon një letër, ku thuhet se ka patur qindra telefonata nga banorët që ankoheshin për këtë biznes, në një vend që nuk ka fare banorë…?!

Të gjitha pikat e grumbullimit të mbetjeve të automjeteve dhe metaleve të tjera, që ushtrojnë aktivitetin e tyre në territorin e Bashkisë së Tiranës pa plotësuar kushtet e kriteret mjedisore, do të mbyllen. Ministria e Mjedisit në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës kanë nisur aksionin në terren për dokumentacionin e bizneseve që shkelin ligjin.Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi u shpreh: “Nuk mund të lejohet që këto pika grumbullimi të jenë pa kushtet minimale dhe pa standardet optimale të realizimit të këtij aktiviteti.”

Gjithashtu Arbjan Mazniku, nënkryetar i Bashkisë së Tiranës, tha se pikat e grumbullimit dhe riciklimit të mbetjeve duhet të jenë të organizuara dhe të funksionojnë në bazë të të gjitha procedurave ligjore.

Më datë 29.10.2017, ministri Klosi dhe nënkryetari Mazniku kërkuan bashkëpunimin e qytetarëve, të cilët mund të denoncojnë online rastet ku konstatohet një shkelje mjedisore.

“Sot gjetëm konsensus edhe me biznesin, të cilit iu la një periudhë kohe për të rehabilituar situatën dhe për të mos lejuar vazhdimin e kësaj situate në mënyrë krejtësisht të jashtëligjshme, jashtë rregullave normale të funksionimit të biznesit, por edhe të mbrojtjes së mjedisit”, shtoi Klosi.

Por kjo nuk ka ndodhur me Jani Lena, i cili ka një subjekt për skrapin në Vaqarr.

“Kam një biznes që prej vitit 2012, i licensuar dhe me të gjitha kriteret që kërkojnë, si leja mjedisore dhe taksat e shtetit. Më datë 29 Tetor, në orën 1 të drekës, vjen furgoni i policisë me 12 polica dhe 4 inspektorë të mjedisit. Kërkuan lejen mjedisore, të cilën unë e disponoja. Fation Pashollari më tha që leja mjedisore ka revokuar më datë 27. Njëkohësisht u futa online dhe leja mjedisore ishte aktive. Dhe sot që flasim, leja është akoma aktive. Ishin me xhinse të shqyera, sikur po venin në ndonjë pub, pa bejxh, pa asgjë fare.

U dha urdhër këtyre të policisë bashkiake, u tha: “Vejini gjobë se ky s’disponon lejen mjedisore. Në këto momente zbret inspektori i policisë bashkiake dhe më ve një gjobë 5 mijë lekë të reja, me pretendimin se është revokuar leja mjedisore, kur në fakt leja mjedisore ja ku është akoma!”

Denoncuesi thotë se kryetari i Bashkisë ka miratuar zonën industriale, ndaj aty ndodhen vetëm biznese e jo banorë. Ai shton: “Policia Bashkiake më ka thënë që të mos e hap portën e biznesit se po e hapa, çdo ditë kam 50 mijë lekë të vjetra gjobë. Më kanë pezulluar aktivitetin dhe tani jam pa punë!”

Jani Lena pretendon se lejen mjedisore e posedon, ndaj nuk do ta paguajë ai gjobën, por inspektori që ia ka vendosur.

Gazetarja e emisionit “STOP” së bashku me denoncuesin e rastit komunikojnë me inspektorin e mjedisit, Fatjon Pasholli, nëpërmjet një telefonate.

Gazetarja – Jam Odeta, gazetare nga emisioni “STOP” dhe jam te pika e skrapit e zotërisë Lena. I keni vendosur një gjobë përsa i përket lejes mjedisore.

Inspektori i Mjedisit – Janë lënë vetëm masa pezullimi, se ajo leje e ka humbur fuqinë e vet juridike!

Jani Lena – Unë lejen mjedisore e kam me ligjin e ri 10/431 dhe i kam humbur efekti lejes së vjetër të vitit 2012, që ishte një tip autorizimi. Kur ka dalë ligji i ri unë aplikova dhe VKM-ja doli në vitin 2014, 3 muaj më pas.  

Inspektori i Mjedisit – Po! E saktë!

Jani Lena – Kam shkuar disa herë për ta bërë dhe më kanë thënë që kjo leje është e rregullt sepse ty të kap ligji i ri.

Inspektori i Mjedisit – Jo, jo, jo!

Jani Lena – Po të jem në shkelje të ligjit, këta do të kishin marrë masa administrative për mua. Por ky rri në makinë dhe zbret 3 – 4 veta aty që të marrin çfarë kanë për të marrë e tikin me pushime dhe  hanë vitin e ri.

Inspektori i Mjedisit  Jo,jo, jo, jo … zotëri më vjen keq!

Jani Lena – Më ke proceduar, më ke lënë ndonjë akt konstatimi a ndonjë gjë? Janë ngritur 2 herë Task-Forca me urdhër të kryeministrit në muajin Shkurt dhe Maj dhe kam qenë me leje të rregullt. Ti tani më thua që i ka humbur afati asaj leje? Kur i humbi? Kur fle gjumë ti natën? Ke ardhur pa urdhër pune te biznesi im …

Inspektori i Mjedisit – Jo more zotëri, se jam me urdhër.

Jani Lena – Ke ardhur me xhinse të grisura sikur po veje në pub dhe pa tabela …

Inspektori i Mjedisit – Unë me xhinse të grisura? O … o zotëri …

Jani Lena – Dhe nuk ke ardhur me logon e Ministrisë së Mjedisit në makinë. Kur keni ardhur seriozisht keni ardhur me logo, kur keni ardhur për punë të tjera keni ardhur pa logo.

Pas bisedës me inspektorin e mjedisit që i vendosi gjobën, denoncuesi iu drejtua Inspektoriatit të Policisë Bashkiake.

Qytetari – Përshëndetje! Si jeni, mirë?

Inspektori –Përshëndetje, urdhëro!

Qytetari – Kam ardhur për këtë gjobën, që më kanë vënë ditën e dielë. Këtë gjobë, që ka vënë ky zotëria, sot që flasim leja mjedisore është aktive.

Inspektori – Atëherë, së bashku me këtë zotërinë kanë qenë edhe inspektorët e mjedisit …

Qytetari – Po, bashkë erdhën…

Inspektori – Të cilët janë ata që e shohin në sistem. Një pjesë e lejeve për grumbullimin e këtyreve, janë revokuar.

Qytetari– Leja është aktive, akoma dhe nuk është revokuar. Kam respekt për uniformën e këtij shteti, për këtë rrobë policie, kurse ky palo njeri, që abuzon me detyrën, të më vejë mua gjobë 50 mijë lekë … Unë këtë nuk do ta lë me kaq!

Inspektori- Atë që ta jep ligji, ta jep ligji ty që të ankohesh. Është e drejta jote që tashi me shku e me bë ankesën. Absolutisht, drejtoju organeve!

Qytetari iu drejtua Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, ku komunikoi me specialisten dhe juristen.

Qytetari – Si ja kaluat, mirë?

Specialistja – Mirë!

Qytetari – Mua më ka ardhur një inspektim ditën e dielë, më ka lënë një akt kështu (Akt Pezullimi).

Specialistja – E dimë çfarë të kanë lënë, prandaj iku drejtori nga puna! (Qesh)

Qytetari – Më kanë vënë edhe një gjobë, mos leje mjedisi … Unë e kam aktive akoma lejen e mjedisit. E vuri Policia Bashkiake, 50 mijë lekë. Po si i bëhet tani?

Specialistja – Patjetër, që ju duhet një avokat shumë i mirë edhe ta çosh çështjen në gjykatë, edhe ta marrin vesh mirë …

Qytetari – Po mirë, ata s’kishin as urdhër pune, asgjë …

Specialistja – Mos i kishe pranuar fare ti! I thoshe largohuni! Nuk kemi çfarë të të themi. Drejtori jonë ditën e premte (27 Tetor), zyrtarisht ka dhënë dorëheqjen me shkrim, të parevokueshme.

Qytetari – Për këtë arsye?

Specialistja – Domethënë, atij i bënë presion për të hequr lejet. Presionin sigurisht e kaloi tek ne, ne nuk e mbështetëm, ai bëri disa procedura vetëm me firmën e vet sepse ia kërkonin. Tani le të përballet me ato që bëri.

Juristja –  A (drejtori) i bëri dhe prapë mori një vendim, që i zhbëri ato që bëri dhe unë tashi nuk e di se çfarë po ndodh! Nuk e di, çfarë po bëjnë, fare …

Specialistja – Ti e ke gjyqin e fituar sepse ti e ke aktive në sistem.

Juristja – Këtë e ka kapur periudha e ligjit të ri, pavarësisht se s’ka dalë formati… Ky mund të bëjë rishikim kushtesh në çdo kohë, sepse ky e ka bërë pagesën, është në rregull.

Jani Lena tregon se një ditë pas gjobitjes iu drejtua me një shkresë AKM-së për t’u ankuar. Pas 4 ditësh, më datë 3 Nëntor iu kthye përgjigjia nga ky institucion, ku i thuhet se leja i është revokuar që më datë 25 Tetor 2017. Ai thotë se ka një shkresë tjetër, nga i njëjti institucion, më datë 27 Tetor, ku i thuhet se drejtori, që tanimë është dorëhequr, ka tërhequr të gjitha lejet e revokimit.

“Akoma më e lezetshmja është që vjen dhe një shkresë nga bashkia se ka patur ankesë nga 174 banorë, kur unë jam në një zonë industriale, ku janë të gjitha pika skrapi!”

Pra pronarit të subjektit të skrapit i është revokuar leja mjedisore dhe dy ditë më pas iu anullua revokimi i lejes… E si të mos mjaftonte kjo ka marrë një shkresë nga Bashkia, ku banorët janë ankuar për të, në një vend që nuk ka fare banorë!

Denoncimi: parkova sms, por mora gjobë nga policia bashkiake.
Një qytetar tregon në “Stop”, se 3 minuta pasi kishte parkuar, paguar dhe marrë konfirmimin me sms, gjobitet nga policia bashkiake në terren.Ai thotë, se rasti është absurd, por jo i vetmi dhe cdo gjë për të zhvatur qytetarët.Gazetari i emisionit “Stop” ia drejtua kryeinspektores Jonida Fezga pranë Tirana Parking, e cila thotë, se nuk bëhët fjalë për gabim në sistem, por në fund sipas saj, fajin e ka patur sistemi. Ajo shpjegon një mekanizëm të gjatë, sipas të cilit, qytetarët mund të ankimojnë dhe gjoba mund të hiqet, kur vërtetohet, se është e padrejtë.

Kategori
STOP
0 Komente

Përgjigju

*

*