Ironia e Donald Lu dhe kandidatët “brilantë” për kryeprokuor.

Gjatë një aktiviteti për votimin elektronik, ambasadori amerikan Donald Lu nuk e kurseu ironinë ndaj deputetëve të mazhorancës, që mungonin në takim, duke thënë, se mund të jenë ende në krevat.Komisioni i ligjeve dëgjoi sot pa praninë e opozitës, prezantimin dhe vizionin e 7 kandidatëve për prokuror të përgjithshëm të përkohshëm. Mes 7 emrave, është dhe ai i prokurores së Elbasanit Ermira Tafani. Në 31 janar të këtij viti “Stop” transmetoi një rast korruptiv, kur një ofier i policisë gjyqësore në Elbasan mori nën dorë 2000 euro, për lirimin e një personi nga paraburgimi. Këto para, sipas tij, duheshin për prokuroren Ermira Tafani dhe gjyqtaren Pajtime Fetahu.

Allias, alarmi i fabrikës së asfaltit, që po vret banorët e zonës.

Banorët e njësisë numër 4, në lagjen Allias i Ri, ankohen në emisionin “STOP” për ndotjen e ajrit pranë shtëpive të tyre. Kjo pasi aty punon pa asnjë kriter fabrika e asfaltit, e cila është në varësi të Bashkisë së Tiranës. Vetëm pak metra nga fabrika ndodhet një qendër shëndetësore, që ngjan më shumë me një pikë grumbullimi skrapi, një shtëpi për të moshuarit, një shkollë për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe shkolla 9 – vjeçare “Ardian Klosi”.

Shëndeti i banorëve është i rrezikuar nga tymi e ndotja, që nuk ndalen as ditën e as natën. Aparati matës e nxjerr ndotjen nga 4 herë deri në 10 herë më të lartë se normat e Bashkimit Europian. Por përfaqësuesit e fabrikës janë të qetë. Veç faktit që nuk kanë leje mjedisore, ata thonë se do të zhvendosen në fillim të vitit të ardhshëm.

Disa qytetarë kanë denoncuar në redaksinë e emisionit “STOP”, fabrikën e përpunimit të asfaltit, e cila ndot ajrin fare pranë banesave të tyre, duke e provuar edhe me pamje filmike.

Gazetarja e emisionit iu drejtua kësaj fabrike, që ndodhet në njësinë numër 4, në lagjen “Allias i Ri”, për të pyetur nëse janë të pajisur me leje mjedisore për ta zhvilluar aktivitetin e tyre. Çka ra në sy ishte mungesa e një rrethimi, gjë që bën që të hyjë e të dalë kushdo, duke patur kontakt me materialet.   

Banorët kanë thënë se në mes të fabrikës ndodhej një oxhak, që shërbente për djegien e materialeve, por tanimë e kanë larguar për të “humbur gjurmët”.

Gazetarja gjatë investigimit të fabrikës së përpunimit të asfaltit u përball me një punonjës të saj, i cili kërkonte që grupi i xhirimit të largohej nga “rrethimi”.

Punonjësi 

Ec, dilni jashtë rrethit!

Gazetarja – S’ka këtu jashtë, brenda!

Punonjësi 

Atje tek asfalti, nuk keni punë brenda!

Gazetarja – Po, por nuk ka rrethim këtu. Do futem!

Punonjësi

– Ec atje, se e di unë ku është rrethimi.

Gazetarja – Jo, do mbaroj këtë dhe pastaj do iki.

Punonjësi

Po dil e mbaroje, filmoje atje!

Gazetarja – Këtu dua ta mbaroj unë se s’ka rrethim këtu.

Punonjësi –

Pse e rrethuar është, ja ku është…

Gazetarja – Nuk është rrethuar. S’e shikoj unë, ku është rrethuar? Vini mo rrethim që të mos futem.

Punonjësi –

Dilni moj atje!

Hiqe ti kameran nga unë!

Gazetarja – Mirë, ik tani se do flas unë!

Punonjësi  

Hiqe kameran andej! Hiqe pra kameran tashi! Po hiqe kameran nga unë, ti

Pak metra larg kësaj fabrike që ndot ajrin ndodhet qendra shëndetësore numër 10, e cila më së shumti ngjason me një pikë skrapi. Pranë fabrikës ndodhet një qendër sociale për të moshuarit dhe fëmijët me aftësi të veçanta, një shkollë, e cila është ndërtuar së fundmi, si dhe shtëpi banimi.

“Fabrika, që ju shikoni mbrapa, ka 25 vjet që prodhon asfalt. Ne nuk hapim dot as dyer e as dritare. Problemi më i madh janë fëmijët. Do ta heqim në Shtator, do ta heqim në Janar, s’ka për t’u bërë. Nuk kemi besim që do hiqet”.

Banorët ankohen se kjo fabrikë punon gjatë mbrëmjes, duke e bërë të pamundur jetesën pranë saj. Ata gjithashtu ngrejnë pyetjen se përse kanë ndërtuar institucione pranë fabrikës së ziftit, kur të gjithë janë në rrezik.  

“Nuk dalim dot përjashtë nga tymi, sidomos në darkë. Na mbahet fryma. Unë vij nga një zonë e largët, por këtu kam gjetur belanë! Nuk kollitem dot. Sa herë kam vajtur në spital, mushëritë i kam të bllokuara. Ne jemi të moshuar, duam të rrimë 2-3 ditë rehat, sa na ka mbetur. Por më keq është për fëmijët! Ku do të marrin frymë fëmijët në këtë ambjent kaq të ndotur?”

Nxënësit e shkollës “Ardian Klosi”, që ndodhet pak metra larg fabrikës, ankohen se u djegin sytë dhe se gjatë pushimit nuk ushqehen dot për shkak të erës së keqe të ziftit.

“Ne e kemi shkollën shumë të bukur, por ne nuk i hapim dot dritaret sepse kur ndizet fabrika e ziftit, ne s’mund të marrim erën e ziftit sepse na ndot mushkëritë!”

Njëri prej qytetarëve, që banon ngjitur me fabrikën, tregon se janë munduar të mbjellin fruta e perime, por tymi i ziftit nuk i ka lejuar, duke qenë se është kanceroz.

“Po bëjmë që të mbijetojmë, por nuk mbijetohet dot kur … “

Gazetarja e emisionit “STOP” është rikthyer pranë fabrikës së përpunimit të asfaltit gjatë mbrëmjes, ndërkohë që po punohej, për të matur nivelin e ndotjes së ajrit. Duke krahasuar normën me atë të Bashkimit Europian, aparati e nxorri nivelin e ndotjes së ajrit nga kjo fabrikë 4 herë më të lartë, ndërsa kur makineritë përfunduan përpunimin arriti në 10 herë.

Edhe magazinierja e fabrikës ankohet për dëmin që i shkakton tymi i ziftit.

Gazetarja – Çfarë funksioni ke ti këtu moj zonjë?

Magazinierja – 

Unë veç jam punëtore magazine, që… edhe rri.

Gazetarja – Kush operon tek kjo fabrikë?

Magazinierja – 

Drejtoria Nr. 2 është.

Gazetarja – Ka leje mjedisore, zonjë?

Magazinierja

 Nuk e di unë. Po edhe mua… në mushkëri, s’i duroj dot.

Ndërsa një përfaqësues i fabrikës shprehet se problemi nuk është dhe aq i rrezikshëm, pasi digjet me dru dhe kanë vendosur mjete për pastrim filtrash. Ai thotë se fabrika është e pajisur me leje mjedisore dhe se është në varësi të Bashkisë së Tiranës, përkatisht drejtorisë numër 2.

“Me dru është, higjenike. Ka dhe filtra. Por megjithatë janë marrë masa që do iki. Është bërë oxhaku i ri me tulla nga brenda, po rri tani! Këtu është zonë e populluar. Nuk e mohojmë dot që ka familjarë e fëmijë. Do ikim vitin që vjen. Është porositur fabrikë e re moderne në një vend të hapur. Ku nuk e di unë, atë e di kryetari i Bashkisë…”

I pyetur nga gazetarja e emisionit “STOP” se kur do të shpërngulet fabrika, ai pohoi se do të ndodhë në muajin Janar të vitit 2018 dhe u largua, duke i uruar punë të mbarë dhe të mos ketë merak për ndotjen nga fabrika.

Kioskat e festave në sheshin “Skënderbej” pa kasa fiskale.

Ditët e fundit sheshi “Skënderbej” është populluar nga kioskat në formë shtëpizash, me rastin e festave të fundvitit.Një vëzhgim i “Stop” tregoi, se nga 7 kioska, vetëm në 2 prej tyre e lëshojnë kuponin tatimor.Kjo ndodh në zemër të Tiranës dhe në kulmin e aksionit të luftës kundër informalitetit.Të pytetu, për mungesën e kuponit tatimor, përfaqësues të bizneseve thonë, se kanë aplikuar për kasë fiskale dhe janë në pritje të pajisjes me të…?!