Shqipëria rikthen “Rrugë të bardha”…

Kjo e sotmja është quajtur dita më depresive e vitit. Por në Shqipëri nuk ka arsye të jetë e tillë. Vec rinisjes së shkollave, sot rikthehet edhe parlamenti, që aq shumë na kish munguar. Në vend, rrugët mbetën të bllokuara nga bora edhe këtë fundjavë, edhe pse firma private kanë kontrata të majme për mirëmbajtjen e tyre.Ndërsa në Britani bora nuk krijon kaos, pasi masat janë marrë paraprakisht.

Skandali i sekuestrimit pa hetim të 9 apartamenteve në Durrës.

Në nëntor 2016 programet informative transmetuan lajmin e sekuestrimit të 9 apartamenteve në Durrës, pas një indicie nga drejtoria e pastrimit të parave. Pronari i tyre Arlind Kalaja, i cili jeton në Itali, flet në “Stop” përmes Skype-t. Ai shpjegon origjinën e parave, duke u kthyer në një pjesë të dhimbshme të jetës së tij. Në vitin 2003 mamaja dhe motra e Arlindit humbën jetën në një aksident tragjik në Verona. Pas procesit gjyqësor Arlind Kalaja dëmshpërblehet nga kompania e sigurimit me 450 mijë euro, gjë që e provon dhe avokati Roberto Bruzzesi.Mbrojtësi ligjor në Shqipëri Jetnor Maxhari tregon, se dokumentacionin për burimin e parave ia ka vënë në dispozicion autoriteteve shqiptare prej 2 muajsh, por ende nuk ka një përgjigje.

Kronikë më e zgjeruar:

Në nëntor 2016 programet informative transmetuan lajmin e sekuestrimit të 9 apartamenteve në Durrës, pas një indicie nga Drejtoria e Pastrimit të Parave. Në këtë lajm thuhej që nëntë apartamente në bulevarin kryesor të Durrësit janë sekuestruar me urdhër gjykate pas kërkesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Prokuroria e Përgjithshme ka bërë me dije se apartamentet ishin në pronësi të 22 vjeçarit Arlind Kalaja. Kjo pasuri sipas Prokurorisë dyshohet se është vënë nga aktivitete kriminale të babait të të riut, Fatmir Kalaja, i cili jeton në Itali.

Pra ky ishte lajmi i bujshëm që qarkulloi në nëntor të 2016, por në fakt e vërteta duket se është krejtësisht ndryshe nga ajo që është transmetuar në media. Pronari i këtyre apartamenteve Arlind Kalaja, i cili jeton në Itali,  i është drejtuar emisionit “STOP”, për të denoncuar këtë rast, përmes “Skype-t”. Ai shpjegon origjinën e parave, duke u kthyer në një pjesë të dhimbshme të jetës së tij. Në vitin 2003 mamaja dhe motra e Arlindit humbën jetën në një aksident tragjik në Verona. Pas procesit gjyqësor Arlind Kalaja dëmshpërblehet nga kompania e sigurimit me 450 mijë euro, gjë që e provon dhe avokati Roberto Bruzzesi. Vetë Arlindi ka frikë të niset drejt Shqipërisë, pasi mund ta lënë përgjithmonë këtu.

Në 2003 kam humbur nënën dhe motrën për shkak të një aksidenti rrugor. Ndërsa unë u plagosa rëndë bashkë me babin tim. Jemi të vetmit të mbijetuar si pasojë e këtij aksidenti. Jeta jonë ndryshoi totalisht. Të humbësh nënën në moshën 9 – vjeçare nuk është një gjë e thjeshtë

.”

Ndërkohë po në këtë lidhje Skype avokati Roberto Bruzzesi tregon për rastin e Arlind Kalasë.

Unë bashkë me kolegun Andrea Brocalenti kemi ndjekur familjen Kalaja për praktikën e dëmshpërblimit, pas incidentit rrugor të ndodhur në 25 dhjetor 2003, ku humbën jetën motra dhe mamaja Arlind Kalasë. Kemi ndjekur procedurën e siguracionit dhe që kompania nuk pagoi për dëmet aq sa duhej, hapëm një çëshje gjyqësore. Praktikisht, kompania u detyrua t’i paguajë Arlindit 450 mijë euro nga të cilat 50 mijë për shpënzime gjyqësore.”

Pasi Arlindi tregon historinë e dhimshme që ka kaluar dhe e vetmja e mirë në jetën e tij ishin pikërisht këto para, mendoi që t’i investonte në Shqipëri duke blerë disa apartamente.

Para gati dy vjetësh pasi kishim marrë paratë e dëmshpërblimit, vendosëm të investonim një pjesë të tyre në Shqipëri, në Durrës. Vendosëm të blinim disa apartamente me paratë që vinin nga sigurimet. Këto para janë e vetmja anë e mirë nëse duhet të gjejmë diçka pozitive në këtë histori dhe më duket absurde gjithë kjo që po ndodh.

Ne praktikisht u vumë në dijeni për sekuestron e apartamenteve në Durrës përmes miqve të familjes dhe të afërmve pasi nuk na u komunikua nga askush. U bë me dije se këto apartamente u konfiskuan për të parë nëse këto para vinin nga rrugë të paligjshme të babait tim. Po e bëj këtë intervistë me “Skype” sepse ndjek shkollën, jam në universitet dhe sepse kam frikë të vij aty pasi mund të më mbajnë e të mos më lënë të kthehem më në Itali.”

Mbrojtësi ligjor në Shqipëri Jetnor Maxhari tregon, se dokumentacionin për burimin e parave ia ka vënë në dispozicion autoriteteve shqiptare prej 2 muajsh, por ende nuk ka një përgjigje.

Është lehtësisht e verifikueshme dhe e kontrollueshme dhe mungon indicia për të bërë sekuestrimin e kësaj prone sipas ligjit antimafia, megjithëse Drejtoria e Pastrimit të Parave e ka pasur shumë të lehtë të verifikojë lëvizjen e llogarisë bankare të noterit nga Italia. Ata e kanë referuar në prokurori çështjen. Në prill të vitin 2016 ndonëse prokuroria ka filluar një çështje penale për pastrim parash dhe gjëja e parë që duhet të bëjnë është një letër porosi në shtetin italian, pra hapi i parë, për të verifikuar burimin e të ardhurave nga banka italiane për në llogarinë e noterit dhe nuk e dimë ende nëse është bërë apo jo.”

Poliklinika 3 në mes të mykut e lagështirës/ Zgjidhje për familjen Verdha.

Poliklinika numër 3 është mbuluar nga lagështira e myku. Pacientët thonë, se janë të detyruar të presin me orë në rradhë, për të marrë shërbime në këto kushte skandaloze. Në fillim të janarit “Stop” transmetoi rastin fatkeq të familjes Verdha në Spille dhe fëmijëve jetimë pa alternative financiare jetese. Sefri Skura, një shqiptar me banim jashtë atdheut ka dërguar për këtë familje një sasi të hollash në formë solidariteti.