Zamira Hasa është një nënë që fëmijën e saj e ka autik. Ajo denoncon në “STOP” mungesën e shërbimit dentar në spitalet shtetrore për fëmijën e saj 12-vjeç.

“Unë kam një problem djalin tim. Ai është me autizëm dhe përveç problemit që ka, ai ka tani problem edhe dhëmbët.”

Zamira tregon, se e përcollën nga një derë në tjetrën në shërbimin dentar të Tiranës dhe QSUT.

“Tek Spitali Francez është një klinikë e specializuar, ku ka edhe mjek reanimator, ku ka edhe kirurg dhe bëhen të gjithë bashkë në grup dhe bëhet trajtimi i fëmijës. Sepse ata fëmijë që kanë një seri problemesh kanë nevojë edhe për një qetësues për t’u bërë trajtimi.”

Në fund djali i Zamirës e gjeti zgjidhjen vetëm falë bujarisë së një klinike private dhe fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”. Emisioni “STOP” u interesua pranë institucioneve dhe mësoi, se në QSUT nuk ofrohet mbushje e dhëmbëve, por vetëm heqje ose operim dhe çdo të premte, kjo ofrohet për fëmijët me autizëm. /tvklan.al