Fluksi i ndërtimeve, sidomos në zonat bregdetare, ka nxjerrë në pah edhe batërdinë me lejet e ndërtimit. Një rast i tillë çon stafin e emisionit “STOP” në Sarandë, në zonën e Çukës. Fare pranë hotelit 6-katësh “Sea Side”, po mbin një ndërtim, jo vetëm jashtë kritereve të distancës, por mbi të gjitha me shkelje të lejes së ndërtimit.

Subjekti A.E.S kishte marrë lejen në vitin 2010, duke e lënë të pashfrytëzuar për 6 vjet. Shtyrja e lejes nuk mund të bëhej, pasi punimet nuk kishin nisur. Por në këtë pikë, ndërhyn Gjykata Administrative e Gjirokastrës, që rrëzon Bashkinë e Sarandës. Kjo e fundit nuk e apelon vendimin edhe pse e ka detyrim ligjor. Gjithçka në mënyrë, që ndërtuesi të shmangë taksën, që është bërë 8% e të punojë me 2%, që ka qenë kur u mor leja.

Pronari – Bashkia më ktheu përgjigje negative, unë e hodha në gjykatë. Në rregull! Më dha të drejtë gjykata.

Gazetari – E rrëzoi gjykata vendimin e Bashkisë? E Shkallës së Parë është ajo?

Pronari – Po, po! Shkallë e Parë.

Gazetari – Ka marrë formën e prerë. Jo ideja është, që kur merr formë të prerë, nuk e apelon institucioni?

Pronari – Nuk e apeloi…

Ndërkohë Kryetarja e Bashkisë SarandëFlorjana Koka lë takim me gazetarin në orën 13.00 për të biseduar në lidhje me këtë problem.

Gazetari – Mirëmëngjes! Si jeni?

Kryetarja – Si jeni ju?

Gazetari – Si kanë shkuar punët?

Kryetarja –  Mirë, mirë! Ju?

Gazetari – Jemi për një problem të vogël këtu.

Kryetarja – çfarë problemi është?

Gazetari – Me një leje, që nuk e keni dhënë.

Kryetarja – Vetëm emrin e subjektit, që ka kërkuar leje, që ta verifikojmë në Urbanistikë. Ndërkohë, unë kam një takim me një drejtoreshë të rëndësishme.

Gazetari – Pastaj më vonë?

Kryetarja – Po, më vonë do flasim.

Gazetari – Nga ora 11?

Kryetarja – Jo, më vonë. Deri nga ora 1 besoj, do jem e angazhuar.

Menjëherë pas takimit me Kryetaren, gazetarin e emisionit “STOP” nuk e lenë të hyjë në Bashki me urdhër nga lart, por gjithsesi në fund arrin të hyjë.

 

Roja – Te zyra e informacionit.

Gazetari – Kush ta tha?

Roja – Kështu më thanë, një urdhër.

Gazetari – Kush ta tha? Kë të marr atje, kë të marr?

Roja – Fol me një nga vajzat, ose me djalin.

Gazetari – Më duhet të flas me sekretaren, do shkoj lart te kryetarja. Hape, se nuk të dëgjoj.

Roja – Do marrësh informacion atje, tani.

Gazetari – Kush ta tha këtë? Ato thonë, shko te sekretarja.

Unë do shkoj te sekretarja, ashtu siç më tha kryetarja. Mos më ndalo ëëë!!! ç’është kjo Bashki e mbyllur kështu? Nuk është burg?

Roja – Kështu është urdhri.

Gazetari – Na pret kryetarja, …o zotëri lëshoje dorën.

Roja – Të lutem, vazhdo këtej…

Sekretarja – Nuk mund t’ju presë sot …

Gazetari – Sot.

Sekretarja – Do t’ju kthejë përgjigje, tha …

Gazetari – Pse ka diçka, për të fshehur ? Ajo tha në orën 1 pra? Do pres kryetaren, ashtu siç më tha.

Roja – çohu tani!

Gazetari – Nuk çohem.

Roja – Unë kam një urdhër, të lutem vazhdo tani!

Gazetari – Ku e ke urdhrin? Ma jep me shkrim!

Gazetari – Erdha si njeri në mëngjes. Më the, në orën 1 kam aktivitet. Erdhëm në 1, bëmë kërkesë.

Kryetarja – Do më dëgjosh pak, të lutem? Si drejtuese e institucionit, që në bashkëpunim me Drejtoritë, jo vetëm të Urbanistikës, por edhe Drejtorinë Juridike, mund ta verifikoj rastin.

Gazetari – Ja e keni këtu, mund ta verifikoni.

Kryetarja – Po nuk është një gjë, që bëhet brënda ditës.

Gazetari – Është shumë e thjeshtë! Po bëhet pse jo?

Kryetarja – Nuk bëhet, i dashuri im. Se ka disa afate ligjore…

Gazetari – Tani kjo ka ikur. është de fakto, sepse lejen ai e ka marrë, e ka vënë në tabelë.

Kryetarja – Të lutem! Ti nuk mundesh dot të hamendësosh. Këtë nuk e bën dot.

Gazetari – Jo, me prova.

Kryetarja – Me prova, do t’i japësh. Unë mbaj përgjegjësi për firmën që hedh dhe dokumentat që nxjerr. Të jap mundësinë ta bësh punën tënde.

Gazetari – Unë dua ta bëj punën time, po dua ta bëj ashtu siç është, pa e shtrembëruar.

Kryetarja – Absolutisht po!

Gazetari – Siç është… Vetëm këtë vendim, pse nuk është apeluar?/tvklan.al