Disa ditë pas shpërthimit të skandalit të kompanisë Euroteam dhe administratores Mirela Topulli, kjo e fundit ka pretenduar në një portal se gjithçka është e qëllimshme dhe se kompania e saj ka dalë e pastër nga kontrollet.

Këtij pretendimi emisioni “STOP” i vë përballë historikun “e pasur” problematik të Euroteam me Inspektoriatin Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve. Euroteam është gjobitur disa herë për mospërmbushje të detyrimeve ligjore.

Gjithashtu Topulli pretendon se nuk ka hedhur mbetje në Erzen, por në kantierin e një kompanie, me të cilën bashkëpunon.

Në fund, ajo thotë se ka shkuar vetë në polici dhe se nuk është në kërkim. Kjo gjë bie ndesh me komunikatën e policisë së datës 6 Korrik, ku thuhet se po punohet për kapjen dhe shoqërimin e Mirela Topullit.

Euroteam është një kompani, e cila merret me dezinfektimin dhe riciklimin e mbetjeve të rrezikshme spitalore, por nuk është një emër i panjohur në arkivat e Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve, pasi është gjobitur shpesh herë nga ky i fundit për shkelje të ndryshme.

Më datë 31.03.2017 është mbajtur një procesverbal nga ISHMP dhe është firmosur nga tre inspektorë, ku i është kërkuar kompanisë Euroteam të plotësojë disa detyra deri më datë 12.04.2017, duke theksuar se mosrealizimi i tyre e ngarkon me përgjegjësi administrative.

  1. Referuar kontrollit të ushtruar operatori Euroteam shpk duhet të paraqesë një kopje të raportit të monitorimit sipas kushteve të përcaktuara në lejen e mjedisit për shkarkimet në ajër, ujë dhe tokë.
  2. Referuar pikës 6 të nenit 26 të ligjit numër 10 463, datë 22.09.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, Operatori duhet të dorëzojë dokumentet e transferimit për mbetjet e rrezikshme çdo 3 muaj pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit.
  3. Dokumenti i transferimit të mbetjeve të rrezikshme, si dhe dokumenti i transferimit të mbetjeve jo të rrezikshme nuk është paraqitur sipas detyrave të lëna në procesverbal.
  4. Menaxhimi i mbetjeve të të gjitha llojeve duhet të bëhet në përputhje me kuadrin e ri ligjor të mbetjeve. Për këtë Operatori duhet të paraqesë një plan të menaxhimit të mbetjeve, ku të përcaktohen të gjitha llojet e mbetjeve dhe cikli i trajtimit të tyre.
  5. Paraqitja e planit të monitorimit dhe të të dhënave të vetëmonitorimit si pjesë e lejes mjedisore, të cilat duhet të sigurojnë që monitorimi jep të dhëna të plota për shkarkimet dhe ndikimet në mjedis.
  6. Paraqitja e regjistrit të sasive të mbetjeve spitalore të grumbulluara dhe të trajtuara për një periudhë 1 – vjeçare.
  7. Paraqitjen e të gjithë kontratave, të cilat Euroteam Shpk ka me të gjithë subjektet që gjenerojnë mbetje spitalore të rrezikshme.
  8. Një kopje të regjistrit, në të cilën të paraqiten të gjitha shërbimet e kryera të pajisjes Hidroklavë për periudhën 1 – vjeçare, trajtim i mbetjeve spitalore me presion-avull.
  9. Një kopje të dokumentit ose regjistrit, ku përfshihet sasia e mbetjeve farmaceutike (medikamente të skaduara) dhe të paraqitet e gjithë procedura dhe mënyra e asgjësimit të tyre.
  10. Një kopje të regjistrit të mbetjeve spitalore si placenta, pjesë të trupit dhe organe, duke përfshirë qese dhe konservues gjaku, si dhe të paraqesë mënyrën e asgjësimit të këtyre mbetjeve.

Më pas, më datë 26.04.2017, inspektorët janë rikthyer në ambientet e Euroteam, pasi nuk kishin paraqitur dokumentin e transferimit të mbetjeve të rrezikshme. ISHMP gjobiti kompaninë e trajtimit të mbetjeve spitalore me vlerën 500.000 lekë dhe kërkoi plotësimin e detyrueshëm të dokumentacionit përkatës sipas legjislacionit mjedisor.  

Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve është rikthyer në kompaninë problamatike, më datë 11.07.2017, për të rivendosur masë administrative gjobë, por këtë herë me vlerë 1 milion e 500 mijë lekë, si dhe pezulloi plotësisht aktivitetin për dëmin mjedisor që ka shkaktuar në brigjet e lumit Erzen.

Genci Angjellari, gazetari i dhunuar nga administratorja e Euroteam, Mirela Topulli, është rikthyer në Policinë e Shtetit për të pyetur se pse kjo e fundit nuk është arrestuar ende pas procedimit penal që i ka bërë, por endet e lirë. Ai tregon se, sipas burimeve kofidenciale, çështja në fjalë ka disa pikëpyetje dhe çalon në shumë vende, ndaj administratorja e Euroteam nuk është shpallur në kërkim dhe gazetari i dhunuar nuk është ballafaquar me të.

Po ashtu Ministria e Shëndetësisë ka heshtur për sa i përket skandalit të kompanisë Euroteam, e cila hidhte mbetje spitalore të rrezikshme në breg të lumit Erzen. Genc Angjellari i bën apel punonjësve të kësaj ministrie për të reaguar, pasi edhe ata jetojnë në këtë vend të helmuar. /tvklan.al