Hajrie Gaçi tregon në emisionin “STOP”, se prej 5 vjetësh endet dyerve të gjykatave, për të përfituar pensionin e pleqërisë, si nënë me shumë fëmijë. Me vendim të Gjykatës së Apelit e fiton të drejtën e saj në Maj të vitit 2016, por e ka të pamundur të marrë diferencat, që duhet të hynin në fuqi, që në vitin 2011.

“Me vendim të formës së prerë kam marrë më 20.05.2016 vendimin e gjykatës për lidhjen e pensionit dhe të më kthehej diferenca. I kam kërkuar pesë herë Sigurimeve Rajonale, që të më lidhnin diferencat. Pensionin e kanë lidhur, por diferencat nuk m’i kanë kthyer. Kam punuar 30 vite, kam rritur shtatë fëmijë dhe nuk jam lodhur aq shumë sa jam lodhur nëpër gjykata.”

Prej 9 muajsh Hajria nuk kishte përgjigje për problemin e saj nga ana e Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Por me ndërhyrjen e gazetares së emisionit “STOP”, ajo arrin të marrë zgjidhje.

Edhe me shkresën e ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme për rastin e zonjës janë përcaktuar, që diferencat me vendim gjykatë do të fillojnë nga data 29.01.2014, e cila përkon me datën në të cilën ka marrë formë të prerë vendimi i Gjykatës së Apelit për periudhën që i duhet si nënë me shumë fëmijë.

Për periudhën nga viti 2011 deri në 2014 përse zonja nuk mund t’i përfitojë dot diferencat?

Atë periudhë nuk mund ta përfitojë dot sepse vendimi i gjykatës, i cili ka njohur faktin juridik që zonja ka qenë në marrëdhënie të një pune, ka marrë formë të prerë në vitin 2014.”

Për diferencat e mbetura Hajrie Gaci thotë se do t’i drejtohet sërish gjykatës, që të marrë pjesën që i takon. /tvklan.al