Një ditë publikimit të kameras së fshehtë në emisionin investigativ “STOP” , ku tregohej mënyra korruptive sesi në këmbim të 100 eurove studentët merrnin provimin në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, Prokuroria e këtij qyteti nisi menjëherë hetimet për rastin në fjalë dhe urdhëroi arrestimin e Ditika Koplikut, shefe e Katerdrës së Biokimisë, e cila shfaqej duke marrë paratë në këmbim të provimit.

Drejtuesit e “STOP”, Saimiri dhe Genti falenderuan reagimin e autoriteteve për rastin në fjalë.

Por në këtë pjesë të dytë, duke i qëndruar temës së arsimit në Shqipëri, në studion e “STOP” ishin të ftuar dy maturantë, Roni dhe Rigersi.

Arsyeja? Për të përcjellë një problem që shumë maturantë të tjerë kanë ngritur këtë vit, mënyrën e pranimit në universitete, që duket se i ka penalizuar ndonëse e kanë përfunduar gjimnazin me nota të larta.

Roni ka një mesatare 9.1, ndërsa Rigersi 9.15, por asnjëri prej tyre nuk ka arritur që të futet në universitet.

roni

Siç shpjegojnë në studion e “STOP”, shkak është bërë reforma në arsim, sipas së cilës, çdo maturant ka të drejtën që të zgjedhë 10 degë. Por këto 10 degë, sqarojnë ata, do të zgjidhen edhe nga studentët e ekselencës, duke bërë që fakultetet të mbushin kuotat vetëm me këta të fundit.

Kjo bën që këta maturantë, ndonëse me një mesatare tepër të lartë t’i drejtohen universiteteve private, pasi ata nuk arrijnë të sigurojnë një vend në degën e dëshiruar.

Por sistemi i futjes në universitet bëhet edhe më i komplikuar, pasi siç shpjegon Rigersi, ndonëse pas disa fazash mund të dalësh fitues në një nga këto 10 degë, nëse studenti ka arritur të fitojë njërën prej tyre, por është në pritje të një fakulteti tjetër që e dëshiron më shumë dhe vijon pret për fazën tjetër, atëherë, edhe dega që ka fituar digjet.

Pra studenti nuk ka më të drejtë të shkojë as në degën që ka fituar…

rigersi

Problemet nuk mbarojnë me kaq. Një tjetër temë që dy djemtë e ftuar në “STOP” prekën ishin lëndët me zgjedhje.

Çdo fakultet ka zgjedhur kriteret e pranimit të studentëve. Këto kritere ama kanë dalë me vonesë, në një kohë kur maturantët i kishin zgjedhur lëndët, duke bërë që ata të mos merrnin asnjë pikë dhe pavarësisht mesatares, të mos futeshin në degën e dëshiruar.

E kundërta ka ndodhur me ata nxënës që kishin zgjedhur lëndët e duhura, që edhe nëse kishin mesatare më të ulët, 5 ose 6, falë lëndëve me zgjedhje kanë siguruar një vend në universitet./tvklan.al