Ardian Braho, prokurori të cilit iu përmend emri në një aferë korruptive të denoncuar në emisionin investigativ “Stop” në Tv Klan, ka mohuar të ketë lidhje me të.

Ai është paraqitur mbrëmjen e të mërkurës dhe mëngjesin e të enjtes në Prokurori, ku ka dhënë sqarimet përballë kolegëve të tij. Sipas Brahos ai ka vepruar konform ligjit dhe se nuk ka asnjë lidhje me videon e transmetuar.

Aty shihet oficeri i policisë gjyqësore Fatos Lushi, duke marrë 18 mijë euro për një çështje të cilën ai e kishte në hetim. Oficeri Lushi është shpallur në kërkim, pasi policia nuk e ka gjetur në banesë për ta ndaluar. Për vendndodhjen e tij, blutë nuk kanë asnjë informacion, por pritet që ai të vetëdorëzohet.

Prokuroria për Krimet e Rënda që po heton këtë rast korrupsioni ka sekuestruar nga Prokuroria e Tiranës dosjen për të cilën u paguan paratë. Hetuesit do të verifikojnë të dhënat për të parë nëse përputhen me videon. Do të shihet nëse përkon momenti kur janë paguar paratë me kohën kur është hequr sekuestro ndaj llogarisë prej 120 mijë eurosh nga ana e Prokurorisë.

Në pyetje grupi hetimor do të marrë dhe personin të cilit i janë sekuestruar paratë për të sqaruar pretendimet e tij në këtë histori. Ardian Braho është pezulluar nga detyra mbrëmjen e të mërkurës me urdhër të Kryeprokurorit Adriatik Llalla.

Tv Klan