Portieri i Lazios, Federico Marchetti nuk është grumbulluar me skuadrën e tij në fazën përgatitore të verës. Rrjedhimisht, porta i besohet Thoma Strakoshës si titullar. Konfirmimi i portierit të Kombëtares Shqiptare vjen pas një sezoni të shkëlqyer me 25 ndeshje në kampionat dhe kupë, 20 prej të cilave si titullar.

E ardhmja e Marchettit nuk dihet ende, por fakti që ai nuk është thirrur nga trajneri tregon qartë se tek Lazio besojnë tashmë vetëm tek Strakosha.

22-vjeçari debutoi me të kaltrit e Romës më 20 shtator të vitit të shkuar. Fillimi ishte me dyshime për të, por në çdo takim që vijonte, Strakosha tregoi se ishte një garanci për portën e Lazios.

Falë paraqitjes së tij, Thoma Strakosha u grumbullua edhe nga ish-trajneri i Kombëtares Shqiptare De Biasi, i cili i besoi ndeshje të rëndësishme si sfida me Italinë, në Palermo, ashtu edhe ajo me Izraelin në Haifa. TV KLAN