presidenti-nishani-studentet-protestuesNjë ditë pasi u nxorën forcërisht nga greva e urisë, studentët e infermierisë janë takuar me kreun e shtetit Bujar Nishani.

Ata informuan Presidentin e Republikës dhe kërkuan ndihmën e tij për siguri fizike dhe ligjore, mos penalizim nga fakultetet përkatëse dhe trajtim të barabartë financiar me studentët e tjerë që studiojnë në Universitetet publike në vend.

Menjëherë pas këtij takimi në faqen zyrtare, Presidenti Nishani e ka konsideruar dhunën e ushtruar ndaj studentëve akt të papranueshëm dhe plotësisht të dënueshëm. Ai ju ka premtuar studentëve se këtë çështje do ta trajtojë me seriozitetin maksimal me institucionet e shtetit, përfshirë Prokurorinë, Ministrinë e Brendshme.

Po ashtu kreu i shtetit, ka shprehur solidarizimin me studentët sa i takon të drejtës për trajtim të barabartë përpara çdo shërbimi publik që ofrohet ndaj çdo qytetari të këtij vendi.

Duke u ndalur në thelbin e protestës së studentëve, kreu i shtetit në deklaratën e tij ka nënvizuar se e mbështet në parim reformën në arsimin e lartë, por Ministria e Arsimit dhe në përgjithësi institucionet shtetërore kanë përgjegjësinë dhe detyrimin që të sigurojnë një proces tranzitimi që nuk cënon të drejtat e asnjë studenti.

Ai ka siguruar studentët se do ta mbështesë dialogun për arritjen e një marrëveshjeje mes studentëve dhe Ministrisë së Arsimit.

Tv Klan