Nikolla-studentetStudentët që kanë ndjekur programe të palicensuara në universitetet private që u mbyllën në kushtet e paligjshmërisë do të duhet të nisin studimet nga e para.

Ministria e Arsimit Lindita Nikolla, e pyetur nëse do t’u njihen lëndët dhe vitet e studimit të rinjve që kanë ndjekur programe të palicensuara në 18 universitetet private të mbyllura, u shpreh:

Lindita Nikolla – Ministre Arsimit: “Pyetja juaj për ato programe që kanë qenë të palicensuara, sigurisht që nuk pret mbrapa përgjigjen që po, ne sigurisht që do të vijojmë në rrugë e paligjshmërisë, pasi arsyet se përse u mbyllën ato universistete ishin pikërisht sepse ofronin programe të palicensuara. Kjo është sqaruar njëherë e mirë dhe ne po mundësojmë për studentët shancin e dytë, në programe të licensuara, në programe të akredituara, qoftë  në universitete publike, qoftë në private”.

Udhëzimi i Ministrisë së Arsimit që mban datën 19 Shtator, në pikën 3 thotë:

“Studenti që transferohet nga një program studimi i cili, në momentin e regjistrimit të studentit ose në vitin ku është regjistruar studenti në atë program studimi, rezulton të mos ketë qenë i licensuar nga MAS, edhe pse lnstitucioni që e ofronte atë ka qenë i licencuar konform kuadrit ligjor në fuqi, mund të aplikojë për t’u transferuar në vitin e parë të studimeve në një program të njëjtë ose të ngjashëm studimi, sipas listës së shpallur për ekuivalentimin e programeve nga secila IAL publike, por nuk i njihen lëndët e shlyera dhe kreditet e përfituara më parë” . 

Të njëtin fat do të kenë edhe studentët të cilët nuk kanë numër matrikulimi.

Sipas të njëjtit udhëzim, lëndët e shlyera dhe periudhat e studimit të kryera prej tyre nuk mund të njihen nga institucionet e arsimit të lartë.

Tv Klan