Sipas një studimi të ri është zbuluar një lidhje e panjohur më parë, mes kancerit të vezoreve dhe një geni në kromozomin X.

Zbulimi, sipas të cilit genet e babait luajnë një rol të rëndësishëm në rrezikun e kancerit ovarian te gratë, mund të ndryshojë mënyrën se si mjekët trajtojnë një nga llojet më vdekjeprurëse të kancerit.

Sipas CNN, geni, i quajtur MAGEC3 është ende duke u investiguar nga shkencëtarët. Një version normal mendohet të jetë kundër formimit të tumorit, sipas studimit, i cili u botua javën e kaluar në revistën PLOS Genetics. Megjithatë, mutacionet mund të rezultojnë në rritjen dhe riprodhimin e pakufizuar të qelizave, duke çuar në kancer.

Kanceri i vezoreve ka një nivel mbijetese prej 45 %, sipas Shoqatës Amerikane të Kancerit. Në vitin 2015 janë identifikuar rreth 1.5 milion raste të kancerit ovarian në mbarë botën, me më shumë se 161,000 vdekje, duke e bërë atë shkakun e tetë më të zakonshëm të vdekjes nga kanceri./tvklan.al