Sa herë që e famshmja “La Traviata” e Giuseppe Verdit shfaqet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, suksesi është i garantuar.

Premiera e së shtunës shënoi një rekord të ri. Një shfaqje që s’duhet humbur. Qe hapi siparin mbrëmë për të vijuar dhe sonte e deri më 20 dhjetor.

Nisi bukur, me një element të ri, atë ta baletit, me elegancën e përhershme të Enada Hoxhës dhe Gerdi Vasos.

Erdhi si një produksion ndërkombëtar që bëri bashkë artistë spanjollë, austriakë, gjermanë, italianë e shqiptarë.

“La Traviata” e këtij dhjetori erdhi me një koncept të ri nga regjisorja Magdalena Fuchsberger, që klasiken e ndërthuri bukur me modernen, përmes skenografisë në video-projektor punuar me finesë nga artist Aron Kitzig.

Emocione të forta solli sopranoja Eva Golemin, me interpretimin e saj të jashtëzakonshëm në rolin e kurtizanes Violetë, krah Alfredos, tenorit italian Giuseppe Tommaso, që fitoi po aq simpatinë e duartrokitjet e publikut.

Për t’u veçuar ishte dhe interpretimi i Gocha Abuladzes, në rolin e babait të Alfredos, Giorgio Germontit.

Me kostume të krijuara enkas , sipas viteve 1920, kohë në të cilën u vendos këtë herë historia e “La Traviatës”, personazhet erdhën me imazhin perfekt që i duhet një skene e një vepre të tillë, nën kujdesin edhe të drejtores së Teatrit të Opera dhe Baletit, Zana Çela.

La Traviata vazhdon edhe sonte, me një Violetë franceze e me një Alfredo shqiptar./ TV KLAN