Gazeta prestigjioze amerikane “The New York Times” i ka kushtuar një editorial asaj që ajo e quan “Sulm të pamëshirshëm të Turqisë mbi median”.

Në artikull, “NYT” thotë se nuk përbën surprizë fakti që Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, përgëzon Trumpin, pasi ky i fundit refuzoi të fliste për një reporter të CNN-it në një konferencë për shtyp.

“Për vite të tëra, Erdogani ka shkatërruar zërat e pavarur si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të vendosur kontroll autoritar. Më herët këtë muaj, policia turke arrestoi këshilltarin kryesor ligjor, më parë ish-shef ekzekutiv, të Dogan Holding, një konglomerat që ka në pronësi gazetat “Hurriyet” dhe televizionin “CNN Turk”. Kjo pasoi arrestimin në mes të muajit Dhjetor të një tjetër ekzekutivi të kompanisë, Barbaros Muratoglu, që akuzohet të ketë ndihmuar një grup terrorist, përkatësisht organizatën e klerikut mysliman Fetullah Gylen, i cili jetën në mërgim në Pensilvani që prej vitit 1999. Kompania (Dogan Holding) ka mohuar lidhjet me Gylenin.

Dikur aleatë, Erdogani dhe Gyleni janë tashmë rivalë të ashpër, dhe Erdogani e ka akuzuar Gylenin për organizimin e grushtit të dështuar të shtetit në korrik.

Edhe pse tentativa për ta rrëzuar ishte një kërcënim real, Erdogan e ka shfrytëzuar këtë episod për të çimentuar kontrollin e tij. Ai ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme që i zgjeron së tepërmi kompetencat e tij, ka burgosur mijëra ushtarë, ka konfiskuar qindra kompani dhe ka spastruar mijëra zyrtarë publikë, policë, mësues, gjyqtarë dhe prokurorë – shumica e të cilëve po ashtu akuzoheshin si ndjekës të Gylenit. Shumë janë vendosur në paraburgim pavarësisht mungesës së provave.

Goditja e Erdoganit mbi median është përshpejtuar. Rreth 120 gazetarë janë burgosur që prej tentativës për grusht shteti dhe Turqia tashmë ka parakaluar Kinën si burgosësin më të madh të gazetarëve, sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Familja që ka në pronësi Dogan Holding ka qenë influente për një kohë të gjatë në themelimin sekular të Turqisë dhe ra në kundërshti me partinë me bazë islamike të Erdoganit në vitin 2009.

Me kompaninë që është vënë në objektiv serish dhe të frikësuar nga humbja e më shumë aseteve, gazeta “Hurriyet” që gjerësisht vërehet tek tërheq “grushtet” për të qetësuar Erdoganin duke pushuar gazetarë dhe duke mos publikuar madje edhe lajme pak kritike.

Nuk ka dyshim se Gyleni është përpjekur të shkaktojë dëme në Turqi duke tërhequr vëmendjen tek korrupsioni dhe përpjekjet e Erdoganit për të minuar demokracinë. Por, deri më tani, Erdogani nuk ka siguruar provat e nevojshme për të ekstraduar Gylenin. Erdogan padyshim beson se Trump do të jetë më i dëgjueshëm përballë kësaj kërkese,” shkruan “NYT”./tvklan.al