Vijon të jetë i lartë tensioni mes SHBA dhe Rusisë. Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo deklaron se politika e butë kundrejt Rusisë ka marrë fund, por shton se edhe opsioni i luftës është i fundit i mundshëm. Dhe sipas tij, ka diferencë mes prezencës ushtarake dhe luftës. Ndërkohë presidenti amerikan Donald Trump nëpërmjet rrjetit social Twitter përgënjeshtron lajmin për një datë sulmi mbi Sirinë, duke larguar dyshimet për një sulm të paramenduar.

Në Evropë gjithashtu vijojnë reagimet. Sot është ndjerë edhe pozicioni i Gjermanisë. Kancelarja gjermane ka deklaruar se vendi i saj nuk do të marrë pjesë kurrë në një sulm të mundshëm perëndimor kundër Sirisë, si ndëshkim për sulmin me armë kimike të Doumes.

Para gazetarëve ka shtuar se mesa duke procesi i shkatërrimit të armëve kimike siriane nuk ishte plotësuar. Ndërsa Emmanuel Macron bën të ditur se ka prova për përdorimin e armëve kimike në Siri nga ana e regjimit.

Presidenti francez ka theksuar sot se perëndimi dëshiron të heqë mundësinë e përdorimit të armëve kimike dhe që ngjarje të rënda të tilla mos të ndodhin më. Ndërsa për sa i përket një sulmi të mundshëm ndaj Damaskut, kreu i Elizesë ka thënë se janë vendime që do të merren kur të jetë më e nevojshme dhe efikase.  

Klan Plus