tabaku_5

Një nga dy pasagjerët që u plagosën në sulmin me armë ndaj autobusit të linjës Tiranë-Athinë ndërroi jetë gjatë pasdites në spitalin e Fierit. 25 vjeçari Laurent Tabaku nga Elbasani i ishte nënshtruar gjatë natës një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe mbahej në reanimacion në gjendje kritike për jetën.

Autobusi me 16 pasagjerë i linjës Athinë – Tiranë u qëllua me armë zjarri në afërsi të fshatit Krahs të Tepelenës. Ngjarja ndodhi rreth orës 1.20, pak minuta pasi mjeti kishte lënë qytetin e Tepelenës.

U qëllua pa paralajmërim, siç rrëfejnë edhe vetë pasagjerët. Vetë ata i kërkuan drejtuesit të mjetit të mos ndalojë.

Të plagosurit Qebarete Xhihani 19 vjeç nga Fieri dhe Laurent Tabaku, 25 vjeç nga Elbasani u dërguan në spitalin e Fierit.

Dyshohet të kenë qenë të paktën 2 autorët e kësaj ngjarje. Disa pasgjerë të tjerë thanë se ata ishin të maskuar.

Policia dyshon se bëhet fjalë për një tentativë grabitjeje. Disa postblloqe u ngritën përgjatë rrugës Fier – Tepelenë dhe në zonë policia po ushtron kontrolle. Për çdo informacion që do të çonte në identifikimin dhe kapjen e autorëve policia ka vënë në dispozicion një shumë prej 10 mijë eurosh. Policia ka shoqëruar mbi 10 persona, por deri tani nuk ka mundur të vërë në pranga autorët.