Forcat Speciale të policisë gjermane kanë bastisur një hangar në aeroportin Tempelhof të Berlinit, që aktualisht shërben si një prej qendrave më të mëdha të akomodimit të refugjatëve.

Sipas gjermanes “Die Welt”, policia mori në pyetje të paktën 4 persona, megjithatë nuk raportohet për të arrestuar.

Ndërkohë e përditshmja gjermane shkruan se është identifikuar edhe autori i dyshuar i ngjarjes, një 23 – vjeçar nga Pakistani, Naved B, i ndaluar nga policia pas ngjarjes së rëndë. Ai besohet të ketë mbërritur në Gjermani në Shkurt si refugjat.

Ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joachim Herrmann bëri thirrje për rishikim të çështjes së refugjatëve.

“Nëse konfirmohet se ky sulm është ndërmarrë nga një azilkërkues, atëherë Berlini duhet të ndërmarrë një reflektim thelbësor për të gjithë mënyrën sesi po menaxhohet situata me refugjatët”.

Bastisja e qendrës, vjen disa orë pasi një kamion u fut në një treg të mbipopulluar Krishtlindjesh, të hënën në mbrëmje, duke vrarë 12 persona dhe plagosur 48 të tjerë.

Policia deklaroi se dyshimet janë që kemi të bëjmë me një sulm terrorist.

Ndërkohë gazeta gjermane, shkruan se prej ditësh ka patur të dhëna për një sulm të mundshëm në tregun e Krishtlindjeve në Berlin./tvklan.al