“Përgjakja e natës së ndërrimit të viteve në Stamboll nga sulmi mizor terrorist, duke i ndërprerë jetën dhe gëzimin 39 qytetarëve të pafajshëm dhe plagosur shumë tjerë, më tronditi shumë dhe më hidhëroi pa masë”.

Kështu e nis mesazhin e tij të ngushëllimit drejtuar homologut te tij turk Rexhep Taip Erdogan, Presidenti i Republikës Bujar Nishani.

Kreu i Shtetit dënon aktin mizor, siç e quan ai dhe thotë se populli shqiptar është në krah të atij turk jo vetëm në këtë moment dhimbje por dhe në luftën pa kompromis kundër terrorizmit.

“E dënoj me ashpërsinë dhe forcën më të madhe këtë akt mizor që kapërcen çdo mendje e veprim njerëzor dhe ju siguroj se, unë dhe shqiptarët jemi krah jush në këto momente të vështira dhe në luftën pa kompromis të terrorizmit, që synon të trembë dhe përçajë shoqëritë tona, duke mos kursyer as momentet e gëzimit dhe jetët e pafajshme njerëzore”

Mesazhet e tij kundër terrorizmit ekstrem që kanë goditur këto kohët e fundit më së shumti Turqinë, por dhe shume vende të Evropës presidenti Nishani i shprehu dhe në vizitën e tij zyrtare vetëm pak javë me parë në këtë shtet me ftese te homologut Erdogan.

Mbrëmja e ndërrimit të viteve në një nga klubet më të njohura të Stambollit, ku festonin me shume së 700 persona u sulmua nga terroristët duke vrarë 39 persona prej tyre, 15 turistë dhe të paktën 69 mbeten të plagosur./ TV KLAN