Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona të cilët mendohen se kanë sulmuar konsullatën turke në Prizren, në orët e para të mëngjesit të së hënës. Ngjarja mendohet të ketë ndodhur si reagim ndaj vendosjes së flamujve turq së bashku me ata kuq e zi në zbukurimet e qytetit me rastin e ditës së pavarësisë së Shqipërisë.

Mediat kosovare raportuan se disa qytetarë i kanë hequr këta flamuj nga shtyllat ku ishin vendosur nëpër qytet. Për sulmin ndaj konsullatës ka reaguar dhe ministri i jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj, i cili i ka konsideruar të shkëlqyera marrëdhëniet me Turqinë.

Hoxhaj e ka cilësuar si një akt vandal nga persona që janë kundër funksionimit të shtetit demokratik dhe shumetnik. Ministri Hoxhaj ka komunikuar me Ambasadoren e Turqisë në Kosovë, duke dënuar ashpër aktin”, thuhet në deklaratën për media./tvklan.al