Ka zgjatur 12 orë pengmarrja e një hoteli luksoz në kryeqytetin e Afganistanit. Gjashtë civilë, duke përfshirë një grua të huaj, së bashku edhe me 3 sulmuesit e armatosur, u vranë nga sulmi në hotelin ndërkombëtar në Kabul.

Forcat e sigurisë afgane shpëtuan rreth 160 vetë pas luftimeve që u zhvilluan gjatë gjithë natës. Asnjë grup terrorist nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë e sulmit. Dyshimet bien mbi talebanët, të cilët synon të merrnin kontrollin e hotelit në vitin 2011.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të mësuar se si mundën personat e armatosur të hynin në një ndërtesë të tillë të survejuar dhe të mbrojtur gjatë gjithë kohës. Ngjarja nisi mbrëmjen e së shtunës rreth orës 21:00, kur pjesa më e madhe e klientëve ishin në restorantin e hotelit luksoz. Autorët ishin të pajisur me armë dhe granata.

Dëshmitarë thonë se panë klientë që të qëlloheshin për vdekje, teksa po vraponin në përpjekje për të shpëtuar. Të tjerë u fshehën në dhomat e hotelit, ndërsa kishte edhe nga ata që u varën me çarçaf nga ballkoni. Njëri prej tyre humbi kontrollin dhe u rrëzua në tokë.

/tvklan.al