naomi-campbell_

6 muaj burg për supermodelen Naomi Campbell. Ky është vendimi i një gjykate siçiliane për sulmin me çantë që Campbell i bëri paparacit italian Gaetano Di Giovani, në Gusht të 2009 -ës.

Supermodelja britanike ndodhej për pushime në Siçili, me të dashurin e asaj kohe, miliarderin rus Vladimir Doronin. Fotografi Di Giovanni po përpiqej të shkrepte disa foto të çiftit kur u vu re nga Campbell, e cila e goditi me çantën e krahut.

Paparaci italian pësoi dëmtim në njërin sy dhe iu deshën 3 ditë trajtim mjekësor.

Sipas britanikes “Telegraph”, ndonëse avokatët e supermodeles arritën një marrëveshje me paparacin italian për tërheqjen e padisë, prokurori Francesco Massara vendosi vazhdimin e gjyqit për shkak të interesit publik, si pasojë e akuzave të rënda të ngritura kundër Campbell.

Të premten, gjykata vendosi dënimin me 6 muaj heqje lirie për 45 – vjeçaren, e cila sipas “Telegraph” do ta apelojë këtë vendim.

Naomi Campbell është e njohur për sjelljet e saj agresive. Në 1998 ajo goditi asistenten personale me telefonin celularë dhe 10 vite më vonë ajo pranoi se kishte goditur një oficer policie në Britani, për shkak se i kishte humbur një valixhe. /tvklan.al