Fituesja e Kupës së Shqipërisë, Tirana, para nisjes së fazës eliminatore të Europa League, ka afruar në ekip futbollistin Yunus Sentamun,  sulmues i kombëtares së Ugandës, i cili rezulton të jetë përfshirë në një skandal seksual.

“Watchdog.co.ug” raportoi me 8 shkurt të këtij viti se Federata e Futbollit të Ugandës po menaxhonte një seri skandalesh ku ishin përfshirë futbollistët e kombëtares gjatë kohës që ishin në kampin e Kupës së Afrikës 2017 në Gabon.

Websajti thoshte se një prej skandaleve seksuale ndodhi kur trajnerët zbuluan se disa lojtarë kishin paguar prostituta për t’i kënaqur në dhomat e hotelit, gjë e cila është në kundërshtim të plotë me rregullat e grumbullimit.

Për më tepër, ata zbuluan se lojtarët paguan prostituta dhe u përfshinë në orgji. Ndërlidhës mes lojtarëve dhe prostitutave akuzohet të ketë qenë pikërisht futbollisti i ri i Tiranës, Sentamun. Gjatë një kontrolli në dhoma nga trajnerët, ai u kap me dy prostituta.

Skandali raportohet të ketë ndodhur pas ndeshjes që Uganda e humbi 1 – 0 me Egjiptin.

Websajti tha se trajneri Micho do të pezullonte Yunusin nga kombëtarja, megjithatë më pas u vendos që të mbahej në kamp për të shmangur çdo reagim para se skuadra të përmbyllte kampionatin.

“Starrsportsgh.com” po ashtu konfirmoi skandalin seksual ku ishin përfshirë të paktën 6 lojtarë të kombëtares së Ugandës. /tvklan.al