superliga shqiptare

Me nisjen e vitit të ri ekipet shqiptare të Superligës po fillojnë përgatitjet për fazën e tretë të sezonit. Disa prej tyre pritet të bëjnë një fazë të shkurtër pregatitore jashtë vendit.

Skënderbeu pritet të niset për në Spanjë. Stërvitja në temperaturat më të ngrohta do të ndihmojnë ekipin e Mirel Josës në pjesën e mbetur të kampionatit. Veç kësaj ekipi korçar u përforcua në merkato edhe me 3 futbollistë nigerianë, të cilët zëvendësuan të larguarit.

Partizani i vendit të dytë do të njihet me trajnerin e ri, italianin Andrea Agostinelli, i cili do të prezantohet në fillim të javës së ardhshme. Të kuqtë e kryeqytetit po tentojnë të bëjnë merkato në skuadrat e kampionatit të Kosovës, por për momentin çdo gjë është në fazë bisedimesh. Pak ditë më parë klubi njoftoi edhe largimin e sulmuesit Sebino Plakut, i cili në 18 javë realizoi vetëm një gol. Me shumë mundësi pritet që trajneri i ri të marrë vendimet për lojtarët që i duhen skuadrës.

Ndërkaq pas largimit nga Laci më 31 dhjetor, traineri Armando Cungu mund të marrë drejtimin e Vllaznisë. Shkodrani është i gatshëm të kontribuojë për ekipin e vendlindjes, por mediat bëjnë të ditur se 42-vjeçari mund të shkojë edhe në Vlorë për Flamurtarin.

Tv Klan