Ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri dhe ministrja e arsimit Lindita Nikolla janë pyetur në Prokurori për dosjen e Emiljano Shullazit.

Ata janë thirrur për të dhënë shpjegime në lidhje me kërcënimin që dyshohet se Emiljano Shullazit u bëri ish-rektorit të universitetit të Tiranës Dhori Kule dhe rektorit aktual Mynyr Koni.

Sipas prokurorisë, Shullazi i ka kërkuar profesor Konit që të tërhiqej nga gara për rektor.

Pas këtij momenti ai është pritur në zyrën e ministrit te brendshëm nga Tahiri dhe bashkë më të ndodhej dhe ministrja Nikolla.

Koni është shprehur se ka marrë garancinë nga Tahiri se çështja do të zgjidhej ndërsa Nikolla i ka kërkuar të vazhdojë garën për rektor.

Mësohet se gjatë marrjes në pyetje në prokurori Tahiri dhe Nikolla kanë qenë në sinkron me njeri-tjetrin. Në përfundim të dëshmisë tij Tahiri nuk ka dashur të japë detaje nga dëshmia e tij. Por i pyetur për akuzat që i bëhen në lidhje me Shullazin  ai dha këtë përgjigje.

Unë jam mësuar me akuzat e Saliut dhe vetëm më bëjnë më të fortë. Unë nuk jam si Saliu që vret njerëz si në ‘Gërdec’ apo në ‘21 Janar’ dhe nuk paraqitet një herë në Prokurori. Unë jam komplet ndryshe, jam rritur ndryshe. E konceptoj detyrën time ndryshe. Kontributin tim ndaj shtetit dhe qytetarëve e konceptoj ndryshe, dhe do luftoj deri në ditën e fundit

.

Ministrja e arsimit ka shmangur komunikimin me mediat pas përfundimit të deponimeve të saj në prokurori. Gjatë marrjes në pyetje ne prokurori në maj të vitit të kaluar dy profesorët deklaruan se nuk kanë mundur t’i identifikojnë kërcënuesit e tyre.

Tv Klan

Prononcimi i ish-ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, pas dëshmisë së dhënë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda:

Pyetje: 

Për çfarë u pyetët në Prokurori, ua ka konfirmuar Rektori Koni se kush kanë qenë ata që e kanë kërcënuar?

Saimir Tahiri: Unë iu përgjigja pozitivisht ftesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të treguar edhe këtu detyrën që kam bërë. Dhe më vjen mirë në fakt që jam ftuar të dëshmoj për detyrën që kam bërë lidhur edhe me këtë rast kur të dy profesorët deklaruan se u kërcënuan.

Unë e konsideroj këtë një vazhdim të kontributit tim për të bërë shtet më të fortë. E sigurisht për të pasur më shumë drejtësi në këtë vend. Dhe jam shumë i bindur që, si kontributi im, ashtu dhe i juaji, i çdo qytetari, por mbi të gjitha i kujtdo në politikë – edhe i atyre që e kanë të vështirë të paraqiten pranë Prokurorisë apo Gjykatës edhe kur vrasin e vjedhin – ndihmon të kemi një Shqipëri më të drejtë.

Dhe drejtësia të vlejë njëlloj, ligji të jetë i barabartë për qytetarët, dhe të mos jenë disa qytetarë të dorës së parë e shumica dërrmuese qytetarë të dorës së dytë.

Ne nuk do lejojmë që kjo të ndodhë. Dhe është kjo arsyeja përse duhet Reforma në Drejtësi. Është kjo arsyeja përse na duhen prokurorë e gjyqtarë të pakorruptuar. Është kjo arsyeja përse na duhen politikanë që respektojnë ligjin.

Është kjo arsyeja përse Reforma në Drejtësi i jep zgjidhje dhe mund t’i japë zgjidhje të gjithë përpjekjes dhe aspiratës së shqiptarëve për të pasur më në fund drejtësinë që duam.

Pyetje: 

Zoti Tahiri, nuk iu përgjigjët pyetjes, a ju tha zoti Koni se është kërcënuar direkt nga Emiljano Shullazi, në takimin që keni pasur me të? A i keni thënë këto gjëra në Prokurori? Pyetja është direkte ju lutem. A ju ka konfirmuar që është kërcënuar nga Emiljano Shullazi, ose më saktë a ju ka dhënë ndonjë emër konkret nga kush është kërcënuar?

Saimir Tahiri: Jam shumë i bindur që do keni rastin të pyesni edhe zotin Koni, ashtu siç jam shumë i bindur ju keni aftësi të spikatur për të marrë informacione dhe nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, edhe nga Policia po ashtu.

Siç jam shumë i bindur se deklarimi im do jetë i në të gjitha aktet që do shkojë në Gjykatë dhe besoj do të keni përsëri rastin të njiheni me çfarë kam deklaruar unë. 

E rëndësishme përtej detajeve dhe unë besoj se detajet janë të rëndësishme deri në një farë pike, por në fund të ditës shqiptarët duan të dinë, a do bëjmë një drejtësi më të mirë apo jo?

Shqiptarët duan të dinë pas njëzet e kusur viteve, a kemi më mundësi të kemi një drejtësi më të mirë apo jo?

Shqiptarët duan të dinë nëse do kemi një shtet më të drejtë apo jo?

Shqiptarët duan të dinë a do kemi politikan që respektojnë ligjin, respektojnë institucionet apo do kemi politikan që dhe kur vrasin dhe kur vjedhin nuk vijnë as në Prokurori as në Gjykatë?

Se çfarë kanë deklaruar profesorët nuk mund të më pyesni mua dhe nuk kam sesi t’i përgjigjem pasi është detyrë e tyre. Unë deklarova çdo hap të detyrës time edhe në çastin konkret.

Pyetje: 

Zoti Tahiri, dje Luan Rama bëri një deklaratë për drogën dhe asgjësimin e saj. Keni një reagim?

Saimir Tahiri: Kam pasur shumë punë dhe nuk e kam dëgjuar deklaratën.

Pyetje: 

Zoti Tahiri, ju ka ngelur peng që gjatë detyrës tuaj si Ministër i Brendshëm nuk keni arrestuar Klement Ballilin?

Saimir Tahiri: Nuk më ka mbetur asnjë peng. Balilin në kohën që unë ushtroja detyrën, nga person drejtues i institucioneve shtetërore u bë person në kërkim dhe person që ka titullin mbi kokë për t’u përgjigjur para drejtësisë dhe kjo është arritje e madhe. Se arrestohet nesër apo pas një viti, kjo është çështje e Policisë.

Gjatë kohës që unë bëja detyrën nuk ishte më drejtues institucioni, por ishte person në kërkim.

Pyetje: 

Jeni përfolur për lidhjen tuaj me Emiljano Shullazin. Sot keni dëshmuar pikërisht në një proces të hapur ndaj tij, të akuzuar për kërcënime dhe shantazhe. Keni diçka për t’i thënë opinionit publik?

Saimir Tahiri: Kush më ka përfolur? Pyesni opozitën. Unë jam mësuar me akuzat e Saliut dhe vetëm më bëjnë më të fortë. Unë nuk jam si Saliu që vret njerëz si në ‘Gërdec’ apo në ‘21 Janar’ dhe nuk paraqitet një herë në Prokurori. Unë jam komplet ndryshe, jam rritur ndryshe. E konceptoj detyrën time ndryshe. Kontributin tim ndaj shtetit dhe qytetarëve e konceptoj ndryshe, dhe do luftoj deri në ditën e fundit.