Pak minuta pasi Gjykata e Apelit vendosi rikthimin në detyrë të Drejtorit të Përgjgithshëm të Policisë së Shtetit, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri deklaroi se rruga për të reformuar dhe garantuar integritetin e sistemit të drejtësisë sapo ka nisur.

Në krah të Çakos, Tahiri tha se çdo pengesë apo sakrificë është provë se policia është në rrugën e duhur.

“Rruga jonë për të reformuar sistemin e drejtesisë, për të garantuar integritetin dhe pastërtinë e drejtësisë sapo ka nisur. Ashtu si beteja jonë për t’u bërë bashkë me shqiptarët për të garantuar që ligji të jetë një dhe i barabartë për të gjithë sapo ka nisur. Çdo plagë dhe çdo gërvishje që marrim rrugës na bën vetëm më të fortë, më të bindur se jemi në rrugën e duhur për të rilindur Policinë e Shtetit.

I pyetur nga media në lidhje me akuzat e opozitës, sipas së cilës, Kryeministri Rama ka ushtruar presion kriminal ndaj gjykatave, duke kërkuar mbylljen e skandalit të përgjimeve, Tahiri i cilësoi një tjetër përbaltje të punës së policisë.

“Ashtu si çdo gërvishtje apo plagë që marrim nga segmente të caktuara të sistemit të drejtësisë, të cilët i frikësohen Reformës në Drejtësi, ashtu dhe opozita me deklaratat e veta vetëm na bind më shumë se kjo është rruga e duhur dhe na nxit më shumë që të bëjmë gjithçka kemi nisur për të modernizuar policinë, për t’i shërbyer më shumë qytetarëve, për të luftuar akoma më fortë me kriminelët dhe të korruptuarit, për ta bërë Shqipërinë më të drejtë”.

Ministri u shpreh se puna e bërë deri tani, ka shërbyer për të rritur besimin e publikut tek Policia e Shtetit.

Tv Klan