Ashtu si Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, protestën e opozitës e vlerëson si një alibi për të penguar zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe Vettingun, për të mbrojtur prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar. Duke folur në një aktivitet për mbrojtjen e Arkeologjisë në Apolloni, Tahiri tha se ata që protestojnë duke qëndruar poshtë Zyrës se Kryeministrit janë qeveria e vjetër që po kërkon të rimarrë pushtetin për të qeverisur sërish me padrejtësi.

“Në qoftë se ju kujtohen gjyqtarë e prokurorë që kanë bërë padrejtësi të shumta në këtë vend, ata mbrohen nga ata që janë te çadra. Sot janë në një çadër në shesh. Ish-kryeministri 27 vjet kalaqafë këtij populli. Dhe ministrat e tij deri para tre vjetësh. Që sot i thonë popullit ne duam të vijmë prapë në pushtet. ajo çadër nuk është çadër. Është bunkeri i të gjithë atyre që duan të mbajnë peng drejtësinë.  Është bunkeri i të gjithë ish-pushtetarëve dje, Por në asnjë vend të botës demokratike, mund të çohet ish-qeveria dhe të thotë unë dua të jem prapë në pushtet, apo akoma më keq, të përcaktojë se kë do ketë kundërshtar, se këtë po thonë: – ikni ju, të vijmë ne! Të ikë Edi Rama, të vijmë ne! Kjo nuk lejohet”.

Protestën e ka komentuar edhe Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Shqetësimi i tij kishte të bënte me bllokimin e qarkullimit nga vendosja e çadrës në mes të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

“Jam shpresë plotë që ndoshta do kemi një mirëkuptim edhe nga bllokuesit e Bulevardit që çadra ose të zhvendoset te lulishtja e Piramidës, ose në një hapësirë tjetër, ku të mos bllokohet lëvizja e autobusëve. Kështu, mijëra qytetarë që sot nuk arritën në punë në orar, të mos kthehet në një problem kronik gjatë gjithë kësaj periudhe. Do të respektojmë të drejtën e çdokujt për të protestuar, megjithatë nëse mund të gjejmë një bashkëpunim që kjo të mos bllokojë jetën e përditshme të qytetarëve të Tiranës, që duan të jetojnë me punë, të ndjekin shkollën dhe që duan të vazhdojnë jetën normalisht, besoj se do të arrijmë një konsensus”.

Pjesa e bulevardit “Dëshmoret e Kombin” nga Kryeministria deri në kryqëzimin me bulevardin “Bajram Curri” është e bllokuar prej të shtunës.

Tv Klan