Përmes një letre dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të INTERPOL-it, Jurgen Stok, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri kërkon rishqyrtimin dhe rivlerësimin e urdhër – arrestit ndërkombëtar për Ramush Haradinajn. Sipas Tahirit, ai cënon parimet themelore të drejtësisë penale, si edhe të drejtat e njeriut. Tahiri shkruan se Haradinaj është gjykuar një herë në Hagë për akuzat e ngritura nga Serbia dhe është shpallur i pafajshëm.

“Gjykimi dy herë për të njëjtën vepër penale është në kundërshtim të hapur me këto parime dhe në shkelje të të drejtave të njeriut, si dhe, në këtë rast, një precedent që bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare”

.

Ministri nënvizon të paktën tre probleme që ka urdhër arresti i Serbisë. Në bazë të tij, Haradinaj konsiderohet ende shtetas i Republikës Federative të Serbisë dhe Malit të Zi, entitet shtetëror i cili ka pushuar së ekzistuari që në vitin 2006; së dyti Tahiri kujton se Haradinaj është ndaluar edhe në 6 Qershor 2005 nga autoritetet sllovene dhe është liruar menjëherë pasi është konsideruar një urdhër i pazbatueshëm dhe së treti ky urdhër – arresti duhet të vlerësohet nëse plotëson kriteret e përcaktuara nga neni 3 i Kushtetutës së Interpol nga Konventa Evropiane për Ekstradimin.

Edhe Nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj i është drejtuar Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Pedro Agramunt, duke e konsideruar zbatimin e urdhër arrestit e Serbisë të papritur, të papranueshëm dhe në shkelje flagrante të të drejtave themelore të njeriut.

Çështja Haradinaj është pjesë edhe e debateve në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian, ku po diskutohet draft – rezoluta për Kosovën. Raportuesja Ulrike Lunaçek ka dënuar arrestimin e Haradinaj, ajo ka deklaruar se përdorja e urdhër – arresteve të vjetra është problematike, pasi Serbia nuk ka juridiksion mbi Kosovën dhe se kjo është një çështje politike.

Tv Klan