Në një takim me banorët e Paskuqanit në kryeqytet, kreu i Partisë Socialistë për Tiranën, Saimir Tahiri theksoi se janë qytetarët ata që më 18 Qershor do të vendosin për qeverisjen e ardhshme.

“Në 18 Qershor duhet të shkojmë në zgjedhje të gjithë bashkë për Shqipërinë që duam. Më 18 Qershor vendosni ju. Kushdo mendon se qeverisja bëhet në koridoret e politikës së madhe, bëni gabim. 

Qeverisjen e ardhshme e përcaktojnë qytetarët askush tjetër. E keni ju në dorë”. 

Në fjalën e tij, Tahiri u shpreh se qeverisja nuk përcaktohet nëpër koridoret e politikës së madhe, ndërsa theksoi se partia që ai përfaqëson nuk kërkon një koalicion për vota apo për të fituar, por një koalicion për të punuar.

“Sot është bërë në modë që duhet të shash qeverinë për të bërë disa vota më shumë. Sa më shumë sulmojnë aq më shumë duan të na shpërqendrojnë nga puna. Sa më shumë sulmojnë, ata aq më shumë energji kemi ne për të punuar. Sa më shumë sulmojnë, aq më shumë punë duhet të bëjmë, aq më fort do të fitojmë më 18 Qershor. Përgjigja jonë është puna, për çdo sulm, baltë që hidhet mbi ne, sepse jemi të vetëdijshëm që qytetarët, do të na gjykojnë për punën e jo për baltën. 

Nuk duam një koalicion për të fituar, por për të punuar. Jo për të mbledhur votat. Askush nuk e do përgjegjësinë për të bërë punën. Askush nuk jep llogari për punën që nuk ka bërë. 

Shqiptarët do të votojnë dhe do të vendosin”.

Kreu i PS për Tiranën, tha gjithashtu se opozita e bllokon Reformën në Drejtësi sepse nuk e do Shqipërinë e drejtë dhe nuk do sundimin e ligjit.

“Sa prej jush kanë dëgjuar për gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar që nuk jappin kurrë drejtësi po s’i mbushe xhepin me lekë, apo po si çove mikun. Sa prej jush kanë dëgjuar për toka që rrëmbehen, për punë që nuk bëhet, për kriminelë që lirohen vetëm e vetëm sepse drejtësi nuk bëhet sipas ligjit, por sipas muskujve. Është kjo arsyeja përse ata e duan drejtësinë peng, që të mbajnë Shqipërinë peng”.

/

tvklan.al