Pavarësisht fitores së thellë në këto zgjedhje parlamentare të Partisë Socialiste, kreu i kësaj force politike për Tiranën, Saimir Tahiri preferon që të fokusohet tek përmbyllja e procesit të numërimit të votave.

Në një prononcim për gazetarët jashtë Selisë Rozë, Tahiri falenderoi komisiononerët dhe vëzhguesit e Partisë Socialiste, që po numërojnë dhe po asistojnë, sipas tij, që vota e qytetarëve dhe procesi zgjedhor të jetë i shkëlqyer.

“Ne e shohim këtë me shumë përgjegjësi, është peshë e madhe që na kanë ngarkuar, procesi nuk ka mbaruar deri në fund, por e rëndësishme është që procesi të shkojë mirë deri në fund”.

I pyetur nëse PS do të marrë mandatin e 18 në Tiranë, Tahiri u shpreh optimist se është në rrugë të mbarë.

“Unë nuk dua të shtij fall, por jam shumë i bindur që aty po shkojmë dhe aty do të shkojmë”.

Më tej, Tahiri konsideroi përgjegjësi të madhe që të rikuperohet 

“koha e humbur në 20 e kusur vite, për t’i kthyer shqiptarëve mundësinë që realisht të projektojnë një të ardhme më të mirë për familjet e tyre, për fëmijët e tyre, për të patur një shtet që nuk punon sipas partive. Të gjitha këto janë përpara nesh dhe ky rezultat na tregon që njerëzit na kanë dhënë atë që duhet, mandatin për ta çuar Shqipërinë përpara”.

I pyetur nëse për t’i kthyer përgjigje Ilir Metës do të priste rezultatin e certifikuar të zgjedhjeve, Tahiri tha:

“Unë mendoj se rezultati ka një përgjigje për të gjithë”.

Sipas tij, pas përfundimit të numërimit të votave, secili do të gjejë mundësinë që ta shohë rezultatin dhe vullnetin e njerëzve për të nxjerrë konkluzionet.

Tahiri e mbylli prononcimin e tij duke thënë se në këto zgjedhje është e rëndësishme që të certifikohet ajo që duhet./tvklan.al