Ministrja për Dialog në qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, e ka njoftuar BE-në për përpjekje të sulmit në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës në pjesën veriore të Mitrovicës, ditën kur ajo e ka hapur atë.

Një mjet shpërthyes është hedhur në afërsi të zyrës të mërkurën, por nuk ka shpërthyer.

“Ministrja Tahiri ka shprehur qëndrimin e Qeverisë së Kosovës se me këto akte destruktive të përdorimit të bombave dhe mureve, Serbia po pengon zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit, por edhe cenimin e dialogut për fqinjësi të mirë mes dy shteteve dhe janë kundër një paqe të qëndrueshme në rajon”, thuhet në një kumtesë të Qeverisë së Kosovës.

Në një bisedë telefonike me drejtoreshën për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në BE, Angelina Eichhorst, ministrja Tahiri ka deklaruar se “obstruksionet e Serbisë janë duke u përshkallëzuar dhe rrezikojnë destabilizimin e situatës, por të cilën institucionet e shtetit të Kosovës nuk do ta lejojnë në asnjë mënyrë”.

Në kumtesë ndërkaq thuhet se Angelina Eichhorst ka shprehur shqetësimet e BE-së për këto zhvillime negative dhe ka premtuar se BE-ja do të merret seriozisht me këto çështje dhe për zgjidhjen sa më të shpejt të tyre./REL