Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka mohuar ekzistencën e një raporti sekret të hartuar nga partnerë ndërkombëtarë, në të cilin thuhet se policia është e implikuar në mbjelljen dhe kultivimin e kanabisit. Sipas Tahirit, segmente të caktuara mediatike fabrikojnë lajme të tilla për të përbaltur punën e policisë.

“Nuk jam në dijeni që ka një raport të tillë. Policia ka reaguar zyrtarisht. Bëhet fjalë për një përpjekje mjaft intensive për të përbaltur punën e Policisë së Shtetit. Dhe tashmë, përveç SHQUP -it, hyjnë dhe segmente të caktuara të medias, të cilat kanë edhe guximin të fabrikojnë medemek “raporte” herë nga Shërbimi Informativ herë nga partnerët, të cilat nuk ekzistojnë askund dhe që synojnë përbaltjen e punës së Policisë.

Por ministri ka pranuar se ka në një hetim që po kryhet pikërisht për punonjës policie.

“Këtu përfshirë dhe struktura të policisë. Ka hetime përkatëse. SHÇBA ka çështje konkrete në hetim. Ka disa punonjës policie, të cilët janë në ndjekje penale, sot që flasim. Kemi një bashkëpunim me prokurorinë në këtë aspekt”.

Sipas Ministrit, blutë kanë shkatërruar 99 % të sipërfaqes së mbjellë me drogë dhe kjo është tregues i luftës kundër këtij fenomeni.

Tv Klan