Në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit në Durrës është organizuar një takim trepalësh mes drejtuesve të policive kufitare të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Italisë (GdF).

Qëllimi i takimit ishte ai i rritjes së bashkëpunimit mes të tre vendeve në fushën e kufirit dhe migracionit.

Në një njoftim për mediat thuhet se, intensifikimi i luftës ndaj trafiqeve të paligjshme në kufirin blu, por edhe në atë të gjelbër ishte një çështje që zuri një vend të veçantë gjatë bisedimeve.

Gjatë takimit u vendos për draftimin e një protokolli trepalësh për patrullimet e përbashkëta në hapësirën detare të tre vendeve në detin Adriatik, si një domosdoshmëri për rritjen e kontrollit në det.

Mes drejtuesve të policive kufitare të tre vendeve u dakordësua shkëmbimi i menjëhershëm i informacioneve në lidhje me të gjitha mjetet detare që ndryshojnë vendbazimet dhe të atyre që deklarojnë se do të lëvizin drejt njërit nga tre vendet.

Gjithashtu, u ra dakord për një shkëmbim informacionesh të menjëhershme në lidhje me imigracionin e paligjshëm.

Delegacioni shqiptar kryesohej nga Drejtoresha e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Aida Hajnaj./tvklan.al