Kriza politike në Maqedoni dominoi takimin që Presidenti Bujar Nishani pati këtë të enjte me homologun e tij maqedonas Gjorge Ivanov. I ndodhur në Azerbajxhan, në kuadër Forumit të 5-të Global të Bakusë, kreu i shtetit shfrytëzoi bisedën me presidentin Ivanov, për t’i shprehur shqetësimin se çdo përpjekje për ta transferuar krizën politike të Maqedonisë në krizë ndëretnike do të ishte e dëmshme për të gjithë rajonin.

E para deklaratë kjo e drejtëpërdrejtë nga Tirana zyrtare, për zhvillimet paszgjedhore në vendin fqinj dhe qëndrimin e mbajtur nga Presidenti i Maqedonisë kundër platformës së partive shqiptare.

“Tentativat për ta transferuar krizën nga domeni politik në atë etnik, mund të ketë pasoja të rënda për të gjithë. Shqipëria asnjëherë nuk ka ndërhyrë dhe nuk ndërhyn në punët e brendshme të një shteti tjetër dhe aq më pak të vendeve fqinje. Shqiptarët që jetojnë në Maqedoni janë një faktor shtetformues dhe Shqipëria do t’i mbështesë në kërkesat e tyre legjitime për respektim dhe zbatim të plotë të Marrëveshjes së Ohrit”.

Presidenti Ivanov refuzon të mandatojë kreun e opozitës maqedonase Zoran Zaev, të formojë qeverinë me BDI-në me argumentin se platforma e partive shqiptare cënon sovranitetin e Maqedonisë. Më herët, në fjalën që mbajti në Forumit e 5-të Global të Bakusë, kreu i shtetit u shpreh se ka ende fuqi dhe interesa të mëdha që e pengojnë Ballkanin të shkëputet tërësisht nga e kaluara, të cilët shfrytëzojnë marrëdhëniet delikate ndëretnike, nacionalizmin primitiv, instalimin e frikës përmes terrorizmit, si dhe nivelin ende të ulët të zhvillimit.

Tv Klan