1I ftuar në takimin vjetor të shoqatës së investitorëve të huaj, Kryeministri Rama bëri një bilanc të politikës fiskale të ndjekur nga qeveria e tij.

Shlyerja e borxheve dhe nxitja e partneritetit me investitorët e huaj, sipas Ramës, ishin dy shtyllat kryesore mbi të cilën u ndërtua programi ekonomik.

Edi Rama – Kryeministër i Shqipërisë: Kishte ardhur koha për të kthyer faqen dhe për të mbajtur përgjegjësinë të gjithë si qeveri për borxhet ndaj sektorit privat. Duke qenë se ne trashëguam një borxh të papaguar dhe pagesa e tij, jo vetëm ishin një mënyrë për të injektuar para në ekonomi, por edhe një detyrim bazë në parim i qeverisë drejt jush. Legjislacioni do të bëjë që asnjë qeveri shqiptare të mos krijojë më detyrime të prapambetura. Në fillim të mandatit gjetëm detyrime të prapambetura dhe gjoba politike. Sot jemi në rrugën e pastrimit të këtyre detyrimeve”.

Rama u bëri të ditur të pranishmëve se brenda pak javëve do të miratohen në Kuvend dy projektligje, një për investimet dhe tjetri për turizmin.

Edi Rama – Kryeministër i Shqipërisë: “Investimet e huaja mbeten përqëndrimi ynë këtë vit. Jemi mjaft të prirur të ndajmë me ju dy projektligje mjaft të rëndësishme, të cilat do të miratohen së shpejti nga parlamenti. Njëri do të jetë për investimet dhe tjetri për turizmin. Gjatë javëve në vijim do të jemi në gjendje që t’ju japim një projektligj të ri i cili do të jetë i rëndësishëm për të ndryshuar në mënyrë strukturore marrëdhënien midis qeverisë dhe sektorit privat dhe për të sjellë më tepër në ekonomi, që është partneriteti publik – privat”.

Rama njoftoi edhe mbledhjen e Këshillit Kombëtar gjatë kësaj jave, si risi që sipas tij do të hapë një kapitull të ri me aktorët ekonomik në vend.

Tv Klan