Durrësi mbledh të shtunën në një takim jo zyrtar krerët e 6 qeverive të Ballkanit Perëndimor dhe Komisionerin për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit Johannes Hahn. Në fokus pritet të jetë nxitja e zbatimit të angazhimeve të marra në  Samitin e Triestes  në korrik të këtij viti, veçanërisht të planit të veprimit për thellimin e integrimit ekonomik rajonal.

Ngritja e një zone ekonomike Rajonale e vendosur në Samitin e Triestes pritet të sigurojë mundësi të reja si për bizneset ashtu dhe për qytetarët, si  dhe do të forcojë zhvillimin dhe vendet e punës. Hapat e tjerë konkrete përfshijnë njohjen e ndërsjellë të kualifikimeve profesionale, identifikimin dhe eliminimin e burokracisë dhe barrierave rregullatore që pengojnë tregtinë dhe investimet në rajon duke krijuar një dialog rajonal mbi transformimin digjital, si dhe hapja e negociatave për një mekanizëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. 

Në një deklaratë të tij mbi këtë takim komisioneri Han shprehet se Brukseli mbështet fuqimisht bashkëpunimin rajonal të Ballkanit Perëndimor si një pjesë përbërëse të perspektivës së tij për anëtarësim në BE, përmes investimeve të konsiderueshme në ndërlidhjen e infrastrukturës, ekonomive dhe njerëzve me vetë rajonin, si dhe mes rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian. Tv Klan