Qeveria ka ndërmarrë një nismë për të tatuar në mënyrë progresive të gjitha të ardhurat. Për këtë ligj, ekspertë të Ministrisë së Financave dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar kanë dy vjet që po punojnë.

E gjithë logjika është që të gjithë llojet e të ardhurave të bashkohen në një sistem, e mbi shumën që do të dalë në fund të vendoset tatimi mbi të ardhurat. Sot në mënyrë progresive tatohen vetëm pagat. Me normën 0 taksohen rrogat deri në 30 mijë lekë, 13% ato deri në 130 mijë, dhe 23% për pagat mbi këtë kufi. Mësohet se e njëjta shkallë tatimore do të aplikohet për totalin e të ardhurave që sigurohen.

Aktualisht, taksa për qiratë, shpërblimet, kontratat e shërbimit dhe interesat bankare është 15%. Përmes modelit të ri, nëse të ardhurat mujore janë mbi 160 mijë lekë, atëherë pesha e tatimit do të rritet, ndërsa nëse janë nën këtë kufi tatimi do të ulet.

Televizioni Klan ka arritur të sigurojë një draft paraprak që ekspertët e Fondit Monetar kanë dorëzuar në Ministrinë e Financave. Në këtë variant propozohet që të ardhurat nga puna, biznesi, dividenti, shitja e pronës, qiratë, veprimtaritë kulturore dhe sportive, të drejtat e autorit dhe interesi bankar të llogariten sëbashku.

Shtrirjen e tatimit progresiv mbi të gjithë burimet e të ardhurave për individët e ka paralajmëruar para disa ditësh edhe ministri i Financave Arben Ahmetaj.

“Ligji i ri do të përfshijë të ardhurat e integruara në bazë të taksueshme, jo si tani të fragmentuara. Çdo e ardhur do të përllogaritet si një e tërë në periudhë tatimore dhe do t’i vendoset sipër norma”.

Ndryshimi i mënyrës së si do të tatohen të ardhurat personale do të hyjë në fuqi në vitin 2019-ë. Përjashtime do të ketë vetëm për të ardhurat që përfitohen nga sigurimet shoqërore, kompensimet sociale dhe shpërblimet që japin autoritetet shtetërore për shkencën, sportin dhe kulturën.

Në variantin që FMN ka dorëzuar, propozohet edhe përfshirja e të ardhurave nga lojrat e fatit, të cilat një ditë më parë u hoqën si të ardhura të tatueshme edhe nga ligji për tatimin e të ardhurave.

Tv Klan