Ndërtimi i Gazsjellësit Trans Adriatik çon në zbulimin e një tjetër zone arkeologjike. Gjatë punimeve në afërsi të fshatit Turan, në Korçë, u gjetën rrënojat e një vendbanimi të hershëm. Ekspertët e trashëgimisë kulturore e vlerësojnë paraprakisht këtë vendbanim si të periudhës së hershme të epokës së hekurit, shekullit të X dhe XI, para erës sonë e shtrirë deri në periudhën e vonë romake.

Vlerësimi është bërë në bazë të materialeve qeramikë të gjetura aty dhe mendohet se në mesjetë është shfrytëzuar si vend për varrim. Pas zbulimit të kësaj gjurme të trashëgimisë tonë kulturore, punimet janë pezulluar dhe Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë është në terren për të kryer shpëtimin dhe gërmimet e mëtejshme.

Shpëtimi dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore përgjatë gjurmës së Gazsjellësit është shumë e rëndësishme për TAP. Ne kemi zhvilluar një numër të madh studimesh para fillimit të ndërtimit dhe kemi ngritur mekanizma për të minimizuar ndikimin mbi trashëgiminë kulturore, mjedisin apo komunitetet. Ekipet tona vijojnë të monitorojnë gjurmën e Gazsjellësit dhe të ruajnë çdo element të trashëgimisë kulturore në përputhje me planin e TAP për menaxhimin e trashëgimisë kulturore, ligjet e Bashkimit Evropian dhe praktikat më të mira të industrisë.”

Punimet në këtë segment të korridorit të “TAP” do të ndalohen për një muaj derisa specialistët e arkeologjisë të kenë bërë vlerësimin dhe raportin mbi artefaktet dhe rëndësinë e zbulimit arkeologjik. Ky është i dyti pas atij të Korrikut 2016, në Skrapar, kur u gjet një “Kapitel” i shekullit të VI./TvKlan