Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla pretendon se është dhunuar fizikisht në tranzitin e Aeroportit të Romës nga Jamarbër Malltezi.

Nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së në Kuvend, sapo ka zbritur në Aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, ka kërkuar ndihmë nga oficerët e policisë.

Ai është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Rinasit, ku ka kallëzuar kreun e Komisionit për Mjedisin në PD, si personi që ka ushtruar dhunë fizike ndaj tij.

Në kallëzim, Balla pretendon se ka qenë duke pritur nisjen e avionit, në tranzitin e Aeroportit “Leonardo Da Vinci” në Romë dhe gjatë kësaj kohe, ai thotë se pa paralajmërim, është qëlluar me grushta e shkelma nga Jamarbër Malltezi.

Sipas Ballës, në aeroport ai ka qenë i vetëm, ndërsa Malltezi i shoqëruar nga bashkëshortja Argita Malltezi.

Pas administrimit të këtij kallëzimi, Policia e Rinasit ka shoqëruar Malltezin në Komisariatin e Rinasit, me cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime.

Gjatë seancës së marrjes në pyetje, Malltezi nuk ka pranuar të japë shpjegime. Ai ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja, e cila gjithashtu nuk ka preferuar të flasë për ngjarjen.

Sipas policisë, Malltezi ka pranuar se është konfliktuar me deputetin Balla, pasi ky i fundit e kishte provokuar atë dhe bashkëshorten e tij, duke e cilësuar historinë si një sulm politik.

Mësohet se rreth orës 3 të mëngjesit të së shtunës, Malltezi është lënë i lirë dhe materialet e policisë i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, ku do të ndiqet penalisht në gjendje të lirë, për akuzat e “goditjes për shkak të detyrës” dhe “dëmtimeve të tjera me dashje”.

Hetuesit thanë se Deputeti Socialist kishte shenja të dukshme dhune në fytyrë dhe për këtë shkak, atij i është dhënë edhe një vendim për kryerjen e akt-ekspertimit të Mjekësisë Ligjore.

Tv Klan