Carlo Tavecchio, Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit ka dhënë dorëheqjen, pas dështimit të kombëtares italiane për të arritur finalet e Kupës së Botës që do të zhvillohen vitin tjetër në Rusi.

Fillimisht ishte Gian Piero Ventura, i cili u tërhoq nga drejtimi i kombëtares italiane dy ditë pas dështimit historik të italianëve.

Presioni i madh i gazetarëve dhe ambientit sportiv që e rrethonte detyroi edhe Tavecchion që të deklaronte largimin tij nga posti i presidentit të federatës këtë hënë.

“Më vjen keq. Po largohem sepse dështova. I kërkoj falje të gjithë italianëve. Është koha që në futbollin italian të nisë një erë e re”, u tha Tavecchio gazetarëve.   

Italia dështoi të fitonte me Suedinë duke mos arritur kështu të kualifikohet në Kupën e Botës, Rusi 2018. Tavecchio në një deklaratë disa ditë më parë hodhi përgjegjësitë e dështimit mbi trajnerin Ventura, për shkak se ishte ky i fundit që i bënte zgjedhjet teknike.

Mirëpo, ai e pranoi se edhe vetë kishte një pjesë të fajit për shkak se ishte ky që e kishte zgjedhur trajnerin e kombëtares.

Pavarësisht gjithçkaje, botërori i Rusisë do të ketë një mungesë të madhe, siç  është fituesja katër herë e këtij kompeticioni, Italia.

/tvklan.al