Janë 1800 të burgosur në Idrizovë dhe në burgun e Shtipit të cilët  kanë kërkuar faljen nga Presidenti Ivanov. Me numër të burgut dhe firma, të burgosurit kërkesat e tyre ua kanë dorëzuar avokatëve, të cilët do t’i dorëzojnë në kabinetin e presidentit. Të burgosurit i dërgojnë porosi presidentit Ivanov se u është bërë padrejtësi dhe se janë lënë në harresë.

Kjo kërkesë e tyre vjen pas vendimit të Ivanov për faljen e elitës politike të cilët ishin në process hetimi. Të burgosurit janë shprehur se edhe ata meritojnë të falen. Ata nuk kërkojnë falje të plotë, por vetëm ulje të dënimeve prej 30 deri 50%.

“Unë e kuptoj se kjo do të bëjë jehonë në opinion se kriminelët në një mënyrë duhet të lirohen. Nuk është e vërtetë. Ata njerëz janë të gjykuar për atë që kanë bërë dhe tanimë po i vuajnë dënimet. Por, asnjëri prej tyre, asnjëri nuk ka virtyt që të kërkojë heqjen e tërësishme të dënimit. Ata janë të vetëdijshëm se kanë gabuar dhe kërkojnë t’u ulet dënimi”,

ka thënë avokati, Zvonko Davidoviq.

Në mesin e atyre që kanë nënshkruar ka edhe të dënuar me burg të përjetshëm. Ata nga presidenti kërkojnë dënimet t’u ulen nga 15 deri 20 vjet. Presin përgjigje të shpejtë nga presidenti sepse në të kundërtën paralajmërojnë grevë urie.

“Më thanë se në qoftë se nuk marrin përgjigje në ndonjë afat të arsyeshëm, se të burgosurit do ta shfrytëzojnë gjithë atë që parashihet me ligj, sidomos të drejtën e votës, pra të mos votojnë, ata dhe familjet e tyre. Ndërsa bëhet fjalë për 15.000 persona”,

deklaroi Davidoviq, raportojnë mediat maqedonase.

Për momentin në të gjitha burgjet ka 3152 persona të burgosur. Kërkesë për falje kanë paralajmëruar se do të dorëzojnë edhe të burgosur në burgje të tjera. Dhe derisa të burgosurit kërkojnë falje, politikanët e falur kërkojnë shfuqizim të vendimit. Këtë deri më tani e bënë Zoran Zaev, Nikolla Gruevski, Trajko Veljanovski, Branko Cërvenkovski, tre prokurorët e Prokurorisë Speciale, Fetai, Stefanova dhe Bubevski, drejtori i burgut të Idrizovës, Pejkovski ndërsa tërheqje të vendimit për falje paralajmëruanedhe Mijallkov dhe kryetari i Manastirit, Taleski. Nga kabineti i presidentit nuk u përgjigjën në çfarë mënyre do të shfuqizoheshin faljet, duke pasur parasysh se tanimë një nga të falurit doli nga burgu, ndërsa janë ndërprerë të gjitha procedurat gjyqësore për rastet “Puçi” dhe “Ryshfeti”. /tvklan.al