dOCI

Dyshimet se Markeljan Doçi nipi i Mentor Lufit mund të jetë autori i vrasjes së Durim Sulkut në 6 prill të këtij viti në Roterdam të Hollandës sa vijnë e përforcohen.

Prokuroria që po punon të për zbardhjen e ngjarjes së 27 majit në Tiranë beson se ngjarjet janë të lidhura. Për këtë arsye u dërgoi një kërkesë zyratare autoriteteve hollandeze që t’i vënë në dispozicion informacionet për vrasjen e Durim Sulkut.

Gjatë hetimeve, prokuroria ka rënë në gjurmët e lëvizjeve që ka kryer Markeljan Doçi, i cili vrau në Tiranë, Besnik Sulkun në përplasjen me armë të së mërkurës.

Lëvizjet që ka kryer Markeljan Doçi janë siguruar nga TV Klan. Në bazë të sistemit TIMS rezulton se ai ka dalë nga Shqipëria në datën 28 shkurt të këtij viti dhe është kthyer në datën 10 prill, 4 ditë pas vrasjes së Durim Sulkut në Roterdam.

Rruga e kthimit ka qenë ajo përmes aeroportit të Brukselit.

Prokurorët shqiptarë janë në pritje të materialeve nga autoritetet hollandeze, për të parë nëse ka gjurmë të Markeljan Doçit në makinën BMV që u përdor në ekzekutimin e 33 – vjeçarit Sulku.

Hetuesit kanë dyshime se vrasja e trefishtë në Tiranë është pasojë e një zinxhiri ekzekutimesh. Këto dyshime përforcohen nga mediat hollandeze.

Televizioni Publik i Hollandes, NOS, raporton se Durim Sulku ishte i njohur i dy vëllezërve Florenc e Glevis Tola, të cilët u vranë po në Roterdam në janar të këtij viti.

Prokuroria po heton gjithashtu edhe lidhjet e italianit Salvatore Leticia me Durim e Besnik Sulkun.

Gjatë marrjes në pyetje ai ka thënë se i njihte prej 15 vjetësh dy vëllezërit dhe se kishte ardhur në Shqipëri për të marrë pjesë në një ceremoni që do mbahej nga familja Sulku në kujtim të Durimit.

Për 5 herët e tjera që kishte hyrë në Shqipëri ai nuk ka dhënë detaje, ndërsa ka shprehur shqetësim për sigurinë e tij, ndonëse mbahet nën masa të larta sigurie në burgun 302.

Leticia dhe Besnik Sulku, sipas prokurorise, e ndoqën Mentor Lufin me një motorr Skuter, për t’i zënë pritë në Bulevardin Zogu i Parë, ku përplasja me armë la 3 viktima.

Tv Klan