Për qytetarët e Lezhës dhe Tiranës, sheshi ku qëndron busti i Adem Jasharit, u bë pikëtakimi për protestën kundër arrestimit të Rramush Haradinaj. Thirrjet, “Lironi dhe Drejtësi për Rramush Haradinaj”, në adresë të ambasadorit francez në Tiranë u bënë në hyrje të bllokut të ambasadave dhe erdhën në dy tubime.

Në protestën e thirrur nga intelektualë lezhianë ishin gazetarë, analistë, anëtarë të shoqatës së vëllezërve Haradinaj dhe dhjetëra qytetarë të ardhur nga Lezha, ku ish kryeministri i Kosovës është nderuar me titullin “Qytetar Nderi”

Në të dytën, protagonistët ishin nga forumet rinore. Të rinjtë socialistë, demokratë, Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe partive të tjera politike, i bashkoi kushtrimi nën sloganin “Drejtësi për Rramush Haradinaj”.

E njëjta protestë para ambasadës franceze u mbajt edhe në Shkup. Shqiptarët atje mes të cilëve artistë, intelektualë dhe politikanë kërkuan lirimin e komandantit. Të njëjtat kërkesa erdhën edhe nga shqiptarët e Gjilanit, Mitrovicës, Gjakovës, Pejës dhe Prizrenit në Kosovë.

Protestat njëherësh në Shqipëri, Kosove dhe Maqedoni vijnë një ditë para se të mbahet seanca gjyqësorë ndaj Kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Pritshmëritë sipas avokatit mbrojtës, Arianit Koçi, janë që Rramush Haradinaj të lirohet më kusht, deri sa Gjykata e Apelit në Colmar të Francës të shqyrtojë ligjshmërinë e kërkesës për ekstradim nga Serbia, me pretendimin për krime lufte të kryera gjatë periudhës së luftës në Kosovë./ TV KLAN