Ngërçi politik që prodhuan zgjedhjet parlamentare në Kosovë duket se është kthyer në një betejë për Kryeministrin e ri të vendit. Në pamundësi të formimit të vetëm të shumicës qeverisëse, partitë politike po shqyrtojnë mundësitë e koalicioneve, por me një kërkesë të përbashkët, të kenë kreun e qeverisë. Kryetarin i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, nuk përdori gjuhë të mesme kur u pyet për qëllimet e partisë së tij.

Isa Mustafa

Me të gjithë do të bisedojmë me kusht që LDK-ja ta ketë kryeministrin. Ky është kushti i LDK-së, të cilin ne nuk do ta kapërcejmë.

Mustafa nuk përjashtoi as mundësinë e daljes në opozitë, nëse nuk ka përputhje programore me partitë e tjera.

Po ashtu kreu i Partisë Demokratikë të Kosovës, Kadri Veseli, u shpreh besimplotë se shumica e ardhshme parlamentare do të dalë nga radhët e koalicionit PAN, me kryeministër Ramush Haradinajn.

Kadri Veseli

Mandatari ynë Ramush Haradinaj do të jetë kryeministër i Kosovës, për arsye se është një çështje e interpretimit të vet vullnetit të qytetarëve tanë, në të njëjtën kohë është një respektim i Kushtetutës së Republikës sonë.

Më herët  Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, i bëri thirrje publike LDK-së për koalicion. Sipas tij, mbetja në opozitë e LDK-së duke mos bashkëpunuar me Vetëvendosjen do të thotë të heqësh dorë nga qëllimi për të larguar PDK-në nga pushteti. Partitë janë në pritje të certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve në mënyrë që të ulen për të diskutuar koalicionet paszgjedhore.

Tv Klan