Prej më shumë se dy javësh të gjitha institucionet përkatëse në vend heshtin mbi mënyrën se si kaloi tek një kompani “OFFSHORE”, një nga asetet më të rëndësishëm të Kompanisë ARMO, si Rafineria e Ballshit, në një kohë kur ARMO është e zhytur në borxhe marramendëse, që kapin vlerën e 595 mln dollarëve.

Ky terr informativ hedh hije dyshimi për mënyrën e kryerjes së transaksioneve, shumën e saktë të paguar, destinacionin ku shkuan paratë, dhe fatin e borxheve si ndaj shtetit ashtu edhe ndaj institucioneve financiare private.

“Gojën” e ka mbyllur edhe vetë Minsitria e Ekonomisë e cila është pronare e 15 % të aksioneve të ARMO-s. As ajo nuk ka dhënë asnjë detaj lidhur me këtë aset, për të treguar më saktësisht me kë është bashkëaksionere, sa është paguar për ARMO-n dhe  kush i ka marrë këto para.

Edhe Ministria e Financave me drejtoritë e saj, atë të Tatimeve dhe të Doganave nuk japin asnjë shpjegim.

Tatimet nuk shpjegojnë se çdo të bëhet me borxhet që ARMO ka ndaj saj, të cilat arrijnë në afro 59 mln dollarë. Si është lejuar kryerja e transaksioneve pa shlyer këto borxhe, apo kur do të paguhen ato?

“Por edhe pse kemi mbi një javë që jemi interesuar për këtë çështje, kjo drejtori nuk jep informacion, duke lënë në një terr të plotë informacioni ndryshimet e bëra për këtë aset të rëndësishëm.”

Borxhet e ARMO arrijnë në afro 25 milionë dollarë edhe ndaj Doganave , dhe kalimi i aseteve në një kompani offshore e regjistruar në ishujt Virgin, duket se nuk e shqetëson aspak atë.

 

Lidhur me marrjen në përdorim të rafinerisë së Ballshit nga kompania amerikane, ne u interesuam edhe pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave duke qenë së ARMO ka një sërë detyrimesh të papaguara edhe ndaj kësaj drejtorie. edhe pse kemi kërkuar disa herë informacion për këtë çështje, kjo drejtori hesht dhe nuk jep asnjë informacion si është lejuar kryerja e transaksioneve dhe si do të zgjidhet çështja e borxheve.

Pas ndryshimit të transaksioneve, as Ministria e linjes , ajo e Energjitikës nuk ka marrë në dorë ndonjë plan investimi të aksionerëve të rinj, duke e bërë edhe me të mistershme fatin e rafinerisë së naftës ARMO dhe të më shumë se 1 200 punonjësve të saj.

As në ekstraktet e Qendrës Kombëtare të Biznesit i cili është dokumenti i vetëm që tregon pronarët e ligjshëm të një kompanie, ende nuk është bërë asnjë ndryshim pronësie për  pronarët e rinj, pasi në të figurojnë ende pronarët e vjetër.

595 mln dollarë borxhe si ndaj shtetit ashtu edhe privatit nuk marrin përgjigje kur do shlyhen, por as fati i rafinerisë së Ballshit nuk është bërë transparent, pasi  i gjithë informacioni i marrjes në përdorim nga kompania amerikane mbahet sekret.

Madje edhe lajmi për kalimin e aseteve tek kompania offshore, do të ishte i vështirë për t’u zbuluar nëse komania Bankers Petrolium, e vetmja që lajmëroi këtë ndryshim, nuk do të kishte njoftuar se do t’i jepte kompanisë amerikane 65 % të prodhimit të saj për ta përpunuar në rafinerinë e Ballshit.

Tv Klan