Bekteshi: Për ekonominë do merremi vesh lehtë

Në pjesën e ekonomisë, shumë lehtë mund të arrijmë pajtueshmëri me Republikën e Bullgarisë , thekson ministri i këtij resori Kreshnik Bekteshi, dy ditë para se delegacioni qeveritar nga Shkupi të udhëtojë drejt Sofjes, ku të martën do të mbahet seanca e përbashkët qeveritare e Qeverisë bullgare dhe asaj maqedonase.

 Ky është hap i ri drejt përmirësimit të raporteve, pas vizitës së Kryeministrit bullgar Kiril Petkov në Shkup, një ditë pas votimit të kabinetit të ri qeveritar të Maqedonisë së Veriut, në krye me Dimitar Kovaçevskin.

Deri tani ka pasur një, ndërsa prej tani do të punojnë pesë komisione bullgaro-maqedonase, përmes punës të së cilave do të përmirësohen marrëdhëniet dypalëshe, të përkeqësua pas vetos nga ana e Sofjes për negociatat aderuese të Maqedonisë së Veriut me BE-në. Qeveria në Shkup mbrëmë ka emëruar bashkë kryesues dhe anëtarë të komisioneve për ekonomi, infrastrukturë, integrime evropiane dhe kulturë, duke mos përmendur ndryshime në përbërjen e deritanishme të Komisionit për çështje historike. Pas vizitës së Kryeministrit të ri bullgar Kiril Petkov, para tri ditëve në Shkup, dhjetë ministra nga Maqedonia e Veriut të hënën do të udhëtojnë drejt Sofjes dhe më 25 janar do të mbahet seanca e përbashkët qeveritare.

“Në pjesën e ekonomisë, tregtisë dhe energjetikës ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet, do të shkojmë të hënën dhe të martën te fqinji ynë, Republika e Bullgarisë, me propozime konkrete, me marrëveshje konkrete dhe me memorandume që mund t’i nënshkruajmë. Nga njëra anë do t’i dëgjojmë cilat janë propozimet e tyre dhe me siguri në pjesën e ekonomisë shumë lehtë mund të pajtohemi.”

Se komunikimi i ndërsjellë ka dinamikë të re, vërteton edhe biseda e sotme telefonike në të cilën Presidenti Stevo Pendarovski ia uroi mandatin e dytë Presidentit të shtetit bullgar, Rumen Radev.

“Presidenti Pendarovski e ka përshëndetur dialogun e vendosur në mes dy qeverive dhe e ka theksuar gatishmërinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut për intensifikimin e tij. Në drejtim të përforcimit të dialogut në mes dy vendeve, dy Presidentët biseduan edhe për mundësinë e vizitës zyratre të Presidentit Pendarovski në Sofje.”

Petkovi pas qëndrimit në Shkup vlerësoi se për disa ditë është arritur më shumë se në dy vitet e fundit, në marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut. Presidenti Radev është më i përmbajtur, duke insistuar në “mbrojtjen e të drejtave të bullgarëve në Maqedoninë e Veriut me përfshirjen e tyre në Kushtetutën e vendit”.

Problemi qëndron në faktin se Bullgaria si “pakicë bullgare” i konsideron të gjithë, rreth 120 mijë qytetarë të cilëve Sofja u ka dhënë pasaportë bullgare në dekadat e fundit, diçka që në këtë anë të kufirit konsiderohet më shumë çështje ekzistenciale, sesa e pakicës.

Klan Maqedonia