Djathi padyshim është një ushqim i shijshëm dhe i pranishëm thuajse në çdo tavolinë. Pavarësisht kësaj, prej kohësh është konsideruar si një ushqim jo shumë i shëndetshëm.

Megjithatë, një studim i ri ka zbuluar se djathi është në fakt shumë më i mirë nga sa mendohej.

Shkencëtarët nga Universiteti i Dublinit dolën në përfundimin se personat që konsumojnë shumë djathë janë më elegantë, në krahasim me ata që nuk e konusmojnë atë dhe se në fakt nuk e rrit nivelin e kolesterolit.

Ekspertët studiuan impaktin që kishin produktet e bulmetit, si qumështi, djathi, kosi, gjalpi, tek 1500 njerëz të moshës 18 deri 90 – vjeç. Ata zbuluan se njerëzit që konsumonin më shumë bulmet kishin përqindje më të ulët të yndyrave në trup, bel më të hollë dhe presion më të ulët të gjakut.

Nga ana tjetër, ata që konsumonin pak produkte bulmeti kishin tendencën për të patur nivel më të lartë kolesteroli.

Këto të dhëna të reja bien në kundërshtim me këshillat aktuale shëndetësore, që sugjerojnë konsum të limituar të produkteve që kanë yndyra të përqendruar, që gjendet tek djathi, si një mënyrë për të mbajtur nivel të ulët të kolesterolit. Niveli i lartë i këtij të fundit lidhet fort me rrezikun e prekjes nga sëmundjet e zemrës.

Shkencëtarët zbuluan gjithashtu se ata që hanin më shumë djathë konsumonin më shumë karbohidrate./tvklan.al