Një grua është dhunuar dhe është kërcënuar me armë zjarri brenda banesës së saj nga dy persona. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Bratkaj të Vlorës rreth orës 01:30 të natës.

Sipas informacioneve nga policia, kanë qenë banorët e tjerë që njoftuan për të shtëna me armë. Në bazë të verifikimeve, rezulton se dy persona, njëri prej tyre Ervis Karçanaj 24 vjeç kurse tjetri ende i paidentifikuar, kishin hyrë në banesën e gruas me iniciale F.S dhe kishin qëlluar me armë në korridor. Më pas, kishin ushtruar dhunë fizike ndaj saj. Fatmirësisht nga të shtënat me armë nuk mbeti njeri i plagosur.

Pas ngjarjes, dy personat u larguan nga banesa. Nga hetimet e deritanishme policia ka zbuluar se njëri prej autorëve, Ervis Karçanaj është nipi i ish-burrit të gruas që u dhunua. Qytetari me iniciale SH.S është divorcuar ligjërisht me gruan F.S, por mes tyre kanë vazhduar konfliktet për motive pronësie, thotë policia.

Në kushte të tilla, ish-bashkëshorti vendosi njerëzit e tij për të kërcënuar ish-gruan për t’u larguar nga banesa ku ndodhi ngjarja. Pas arrestimit të 24-vjeçarit Karçanaj, vazhdojnë hetimet për të kapur personin e dytë. /tvklan.al