Një 30-vjeçar ka mbetur i plagosur në një atentat në Tiranë, mesditën e kësaj të premteje. Ngjarja ka ndodhur në zonën e ish – ekspozitës, kur objektivi i atentatit Endi Mustafaraj ka qenë ulur në këtë këtë tavolinë, në një nga lokalet e zonës.

Një person i cili lëvizte me një makinë i është afruar lokalit dhe nga mjeti i tij ka qëlluar tre herë në drejtim të 30 – vjeçarit. I plagosuri i ka marrë plumbat në bark dhe ndodhet ende në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës.

Hetuesit janë ende duke kqyrur kamerat e sigurisë së lokalit ku ndodhi ngjarja dhe bizneseve përreth në zonë për të saktësuar dinamikën e ngjarjes dhe numrin e personave që kanë qenë në makinën e autorëve.

Blutë kanë marrë në pyetje disa dëshmitarë okularë të cilët nuk kanë dhënë detaje të mjaftueshme për të identifikuar personat e këtij krimi.

Grupi hetimor ka ngritur disa pista hetimore. Por dyshohet se kjo plagosje ka lidhje me disa ngjarje kriminale të ndodhura në Tiranë gjatë këtij viti.

I plagosuri Mustafaraj sipas burimeve të policisë ka qenë mik i ngushtë me Elton Çiçën, i vrarë në një atentat në zonën e ish-Bllokut.

Të njëjtat burime nga blutë sqarojnë se plagosja e kësaj të premte ka lidhje me ngjarjen e fillim Majit të këtij viti.

Në hetim janë dhe pista të tjera që kanë të bëjnë me një konflikt të çastit apo i mbartur prej disa kohësh.

Policia: I plagosuri, lidhje shoqërore e Elton Çiçës

Nga informacionet e marra në rrugë operative, dyshohet se Andi Mustafaraj të ketë qenë lidhje e Elton Çiçës, i vrarë më 1 Maj të këtij viti, person me precedent kriminal.

Gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes janë konstatuar tre gëzhoja dhe dy predha, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Shërbimet e policisë dhe grupi hetimor po punon intensivisht për sqarimin e rrethanave të ngjarjes me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve. /tvklan.al