Një muaj pasi kishte dalë nga burgu, 29 – vjeçarit Alfred Skonja i është bërë atentat në qytetin e Durrësit. Ai dhe shoku i tij 25 – vjeçar, Ismail Çyrbja mbetën të plagosur me armë zjarri rreth orës 22:00 të së mërkurës, në lagjen numër 5 të këtij qyteti. Ngjarja ndodhi në rrethana ende të paqarta dhe autorët janë ende të paidentifikuar.

Sipas policisë, Skonja ndodhet në Spitalin Ushtarak Tiranë, në gjendje të rëndë, ndërsa Çyrbja në Spitalin Rajonal Durrës, jashtë rrezikut për jetën. Policia thotë se të dy të plagosurit njihen si përdorues të lëndëve narkotike.

Sipas burimeve nga policia dyshohet për një konflikt të çastit mes një grupi personash që ka përfunduar me dy të plagosur, por nuk përjshtohen edhe pista të tjera.

29- vjeçari Alfred Skonja u arrestua më 25 Gusht, pasi dyshohej se në bashkëpunim me një shtetas tjetër, kishin marrë të gjitha masat dhe ishin përgatitur për vrasjen e një shtetasi.

Skonja u akuzua si autor i vjedhjes së automjetit që do të përdorej për vrasjen, por pasi qëndroi 30 ditë në qeli u lirua për mungesë provash. Ai ka qenë i arrestuar edhe në vitin 2009, për grabitjen në bashkëpunim të një dyqani celularësh në këtë qytet, për të cilën edhe është dënuar.

Tv Klan